02 February, 2022


Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” në partneritet me DokuFest dhe Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) Prizren do të organizojnë edicionin e parë të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prizrenit, i cili do të mbahet nga data 1-12 gusht 2022.

ISS do të ofrojë gjashtë kurse me kredi ECTS që mbulojnë një gamë të gjerë fushash studimore. Të gjitha kurset do të mbahen vetëm në gjuhën angleze. Pas përfundimit me sukses të kursit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata sipas Sistemit Evropian për Transferimin e Krediteve (ECTS). Përveç kësaj, studentëve dhe personelit do t’u ofrohet një gamë e pasur e programeve ekstrakurrikulare, duke përfshirë akreditimin në festivalin ndërkombëtar të filmit DokuFest dhe ekskursione të ndryshme rreth Prizrenit si një nga qytetet më unike dhe më të lashta në Ballkan (Evropën Juglindore). Informacioni i detajuar për ngjarjet dhe axhendën do të publikohet gjerësisht në faqen e internetit të Universitetit para dhe gjatë kurseve verore.

Edicioni i parë i ISSP 2022 është i hapur për të gjithë studentët dhe do t’i ndihmojë të gjithë pjesëmarrësit të përfitojnë nga metodat e reja të ligjërimit dhe kërkimit, si dhe të shijojnë atmosferën ndërkombëtare. Për një periudhë prej dy javësh modulet do të ligjërohen nga profesorë eminentë ndërkombëtarë nga universitetet më të mira evropiane dhe do të ofrojnë mundësinë për studentët vendas dhe ndërkombëtarë të mësojnë dhe të ndajnë përvojat e tyre.

Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e DokuFest, potencoi se ‘Dokufest do të kontribuojë duke e ndarë përvojën e gjatë në organizimin e festivalit ndërkombëtar’. Ajo bëri të ditur se ‘studentët dhe profesorët që vijnë në Prizren të vijojnë shkollën verore, do të kenë mundësinë të pajisjen me akreditim falas në Dokufest, të përcjellin të gjithë filmat dhe aktivitetet tjera që organizohen gjatë kohës së festivalit’.

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj duke i falënderuar për mbështetje partnerët, e vlerësoi lartë arritjen e këtij bashkëpunimi për organizimin e shkollës verore ndërkombëtare. “Vlen të theksohet se është hera e parë nga themelimi që Universiteti organizon një ngjarje të tillë shumë të rëndësishme. Duke e parë përkushtimin edhe të partnerëve besojmë se do të realizohet me sukses”, potencoi Rektori Krrabaj.

Muhamed Rexhepi, përfaqësues i ITP-Prizren, theksoi se ‘ITP-Prizren do t’i ofrojë hapësirat infrastrukturore për studentët vendor dhe ndërkombëtarë në akomodim, organizmin e ndonjë moduli dhe aktiviteteve tjera jashtë kurrikulare. Rexhepi, po ashtu tha se ‘ky organizim i përgjigjet konceptit të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve që parasheh të përfshijë shkencën, hulumtimin e zhvillimin ku target grupi midis tjerash janë edhe studentët dhe të rinjtë’.

Për të aplikuar në Shkollën e parë Verore Ndërkombëtare vizito: https://www.uni-prizren.com/en/summer-school/