20 October, 2020
A jeni mësues inovativ dhe krijues në klasë?
A keni interesim të përdorni metoda të reja dhe materiale alternative në zhvillimin e orës mësimore?
A keni dëshirë të nxisni kreativitetin tek nxënësit tuaj?
Atëherë jemi të lumtur t’ju njoftojmë se DokuFest po organizon punëtorinë virtuale me mësimdhënës të cilët ligjërojnë nga fushat e kurrikulës: Gjuhë dhe Komunikim, Art, Shoqëria, Mjedisi dhe Jeta dhe Puna, si pjesë e shkallëve kurrikulare 5 dhe 6 (klasat X-XII). Të gjithë mësuesit e këtyre klasave inkurajohen që të bëhen pjesë e punëtorive virtuale të cilat priten të mbahen përgjatë muajit nëntor.
Punëtoritë e organizuara në kuadër të projektit Film and Factual Media: Education 4 Equality kanë për qëllim të fuqizojnë mësimdhënësit në përdorimin e filmit dhe mjeteve të tjera audiovizuale - si mjete dhe materiale të nevojshme në orën mësimore. Në veçanti, punëtoritë do përqëndrohen në përspektivën e të nxënit gjatë gjithë jetës, me fokus të theksuar në nxënie, mësim, zotësinë e vlerësimit dhe kapjen efektive e të ndërgjegjshme të informacionit, të kuptuarit elektronik dhe zhvillimin e aftësive teknologjike në epokën digjitale.
Të gjithë mësimdhënësit të cilët do të jenë pjesë e punëtorive do të kenë rol kyq jo vetëm në implementimin e shkathtësive dhe metodave alternative në orët mësimore por edhe do të kenë rol kryesor në shpërndarjen dhe zgjerimin e këtyre praktikave edhe tek mësimdhënësit e tjerë.
Kush inkurajohet të aplikojë?
- Mësimdhënësit të cilët përdorin format alternative të organizimit mësimor në klasë.
- Mësimdhënësit të cilët synojnë të zhvillojnë vetëbesimin tek nxënësit.
- Mësimdhënësit të cilët inspirojnë nxënënësit të ndërmarrin iniciativa dhe të zgjedhin probleme.
- Mësimdhënësit të cilët stimulojnë kreativitetin e nxënësve.
Për shkak të numrit të limtuar të vendeve, përzgjedhja e mësimdhënësve do të bëhet përmes vlerësimit të aplikacionit.
Të gjithë mësimdhënësit e interesuar mund të aplikojnë përmes linkut poshtë.
APLIKO KËTU
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).