Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, kuarteti ukrainas i muzikës botërore DakhaBrakha do të performojë më 4 gusht në Kalaja.. Themeluar në teatrin “Dakh” në Kiev, ky grup muzikorë tashmë është kthyer në një simbol të Ukrainës së re, të lirë, të guximshme dhe të pavarur. Muzika e tyre përzien këngët tradicionale ukrainase me ritme dhe instrumente nga e gjithë bota. Nga daullet te violonçeli, DakhaBrakha ka performuar në skena të mëdha si Glastonbury, Sziget, Pohoda, Bonnaroo, Roskilde, GlobalFEST dhe në vende si Meksika e deri tek Korea e Jugut.

Performancat e tyre ndërthurin teatrin dhe muzikën, duke kombinuar intensitetin vizual të skenës me llojllojshmërinë e zhanreve dhe traditat e thella folklorike. Ky grup e përkufizon stilin e tyre unik si “etno-kaos”,një përzierje kulturash që vjen nga hulumtime dhe incizime të vjetra. Ata këndojnë në gjuhën ukrainase, në tatarisht të Krimesë dhe gjuhë të tjera.

Në koncertet e tyre, ata luajnë këngë të njohura si “Sho z-pod duba”, “Vesna”, dhe “Ptakh” i njohur si himni shpirtëror për Ukrainën e sotme, e kompozuar nga poeti Serhiy Zhadan.

Kënga më emocionale e tyre është “Plyve Choven”, një dedikim për ushtarët ukrainas.

Që nga fillimi i luftës, ata e ndjejnë që po i flasin botës në emër të gjithë vendit: “Na duket sikur po i flasim botës në emër të gjithë vendit,” thotë Marko Halanevych. “Ju falënderojmë për mbështetjen, kërkojmë armë dhe ndajmë me ju dhimbjen tonë. “Njëkohësisht, tregojmë pak nga kultura jonë dhe e sfidojmë propagandën që thotë se jemi ”një komb.”

Koncertet e DakhaBrakha-s shoqërohen me art vizual. Aty përfshijnë veprat e artistëve dhe fotografëve të luftës nga Ukraina. Çdo performancë e tyre shndërrohet në më shumë se një koncert, kthehet në një përjetim të thellë emocional dhe një thirrje për solidaritet.

DakhaBrakha janë:

Marko Halanevych, Iryna Kovalenko, Olena Tsybulska, Nina Garenetska

Kjo performancë financohet nga Bashkimi Evropian.