07/08/2024
Ndjekim ndeshjet pothuajse luftarake të mundësve në Opojë dhe Gorë afër Prizrenit, e shohim ata duke u përgatitur forma gati ritualistike, duke ndjekur një kod rregullash të pashkruar, por që mbartet me vete kohë pas kohe dhe bëhemi gati t’i shohim ata të përballen me njëri-tjetrin.
Gjatë kësaj kohe përgatitore, turma është e çuditshme dhe e emocionuar, karakteret ngjajnë si të dala nga mitet shqiptare, me cilësi specifike, me sy të ndezur për të përjetuar ngjarje të mëdha.
Rreth tyre shohim instrumentistët, si kaherë ata që sjellin lajmin, zhurmën dhe lënë shenjën në kohë dhe ajër se diçka me rëndësi po ndodh: rrahja e daulleve dhe klarinetat e përmalluara i hapin rrugën zhvillimeve kulmore, emocioneve dhe të përjetuarit e sportit si argëtim.
Kjo nuk është hera e parë që Ansambli Eksperimental i Lumbardhit së bashku me Ilir Bajrin bashkojnë forcat për të krijuar një kolonë zanore për dokumentarët e Sahatçiut, pasi shënohet e treta herë që Fondacionit Lumbardhi së bashku me DokuFest e bëjnë të mundur këtë ndërmarrje artistike. Fillimisht nisi me “Prizreni, qyteti i burimeve dhe bukurisë” si një homazh i jashtëzakonshëm për vetë qytetin dhe me historinë e veçantë të një familjeje prej 117 banorësh dhe tani me Pehlivanët.
Ky projekt flet për rëndësinë e jo vetëm muzikës në filma, por edhe krijimit të hapësirave në mënyrë që këta dokumentarë të mund të gjejnë audiencë të re dhe gjejnë kësisoj rimarrje të reja e kreative. Kjo punë shumëdisiplinore udhëheq rrugën se si të riinterpretohen traditat dhe të ftohen brezat e rinj të punojnë me materiale që përshkruajnë mënyrat e jetesës, duke shënuar traditat dhe kostumet si një pjesë thelbësore se sa jashtëzakonisht befasuese mund të jetë kultura jonë.
Ansambli Eksperimental i Lumbardhit së bashku me kompozitorin e mirënjohur Ilir Bajri punuan kolonën zanore për afro një javë, duke krijuar një hapësirë tjetër për të marrë frymë për këtë dokumentar. Ata interpretuan veprën e re të kompozuar në skenën e Kino Bahçes, duke mbledhur të pranishmit e shumtë pasi është pjesë e eksperiencave të veçanta të planifikuara për festivalin këtë vit.
Dokumentari i luajtur në sfond, i ndjekur nga afër muzikalisht nga instrumentistët e rinj, përkapi shpejtësinë tradicionale dhe ritmike të historisë së portretizuar te Pehlivanët, duke krijuar gjithashtu hapësirë për një rrjedhë të ndërlidhur duke kontrastuar e ngjyruar me vendosmërinë e kitarës, emocionalitetin e pianos dhe prekjen e përshpirtshme të instrumenteve frymore.
Një eksperiencë për të mos u humbur, e kështu zgjatet dhe ftesa për t'u lidhur më shumë me produksionet dokumentare në Kosovë.
Nga: Blerina Kanxha
Foto: Tughan Anit