09/08/2024
Të qenurit i pranishëm në një festival filmi për gjashtë ditë rresht, njeriu fillon e kupton se sa thellësisht i dhënë bëhet në aktin e të vështruarit. Në një program të tillë intensiv tetë-ditor, pavarësisht momenteve të dedikuara për dëgjim ose pjesëmarrje në biseda, aktiviteti kryesor mbetet të shikuarit dhe gjithçka rreth kësaj. E çfarë mund të themi për regjisorët që angazhohen në një aktivitet të ngjashëm gjatë gjithë procesit të tyre të filmbërjes? DokuTalk-u i 6-të i DokuFest-it pati si fokus pikërisht çështjen e intimitetit në filmbërjen observative dhe dilemat që shfaqen gjatë zhvillimit të një historie dhe gjatë procesit të kalimit të kohës me personazhet.
Për të iniciuar diskutimin, moderatorja Dea Gjinovci u shpreh se ndihet e magjepsur me procesin e punës me personazhet, e veçanërisht në aspektin e krijimit të intimitetit dhe lidhjes së ngushtë. Për Eneos Çarka, regjisor i filmit "Another Day", i cili po garon në programin Balkan Dox, qasja e tij ndaj filmbërjes përfshin njohjen dhe takimin e ndërsjelltë me personazhet. Edhe pse Rafael, një nga personazhet kryesorë të "Another Day", u drejtua tek Eneosi vetëm pasi u njoh me punën e tij në universitet, sërish ishte ky intimitet i tyre i krijuar në një mjedisi ekzistues të përbashkët ajo që lehtësoi procesin krijues.
Interesi i Rafaelit në performanca dhe metoda observative e Eneosit bënë që të krijohet një dinamikë bashkëpunimi. Për Birgitte Stærmose, regjisore e filmit "Afterwar", film që gjithashtu garon në Balkan Dox, filmbërja shkon përtej vëzhgimit të thjeshtë për shkak të marrëdhënieve të saj paraekzistuese me subjektet. Veten, ajo nuk e konsideron si filmbërse observative të dokumentarëve, por e përshkruan si regjisore e "fiksionit" që përdor një metodë më disociative gjatë gjithë procesit të filmbërjes. Regjisori dhe kinematografi i filmit "Adrienne & The Castle", Pablo Alvarez Mesa thekson se si drejtor i fotografisë rol të madh sheh angazhimin dhe përshirjen me personazhet në një mënyrë të veçantë. Ai thotë se vëren që atëherë kur përfshin njerëzit përmes gjesteve të ndryshme të tyre, formave e edhe objekteve, ai shmang vendosjen e projeksioneve të nevojave të tij mbi personazhet. Një qasje e tillë bën që të respektohen tiparet e tyre të “pikëllimit” ose të temave totalizuese pa e kompromentuar karakterizimin e tyre.
Sa i përket se sa e si duhet të merret hapësirë në setin e filmit, Pablo thekson se "dëgjimi është 90% e xhirimit," dhe të qenit emocionalisht i pranishëm me personazhin është thelbësore. Ai preferon të përdorë imazhe si tregues të lehtë dhe kësisoj ta thellojë hapësirën emocionale me anë të zërit. Në kontrast me metodën e Pablos, filmi i Brigitte-s është performativ, i skenarizuar dhe i drejtuar, gjë që rezulton në diskutime të gjera mbi natyrën e hapësirës performative, duke përfshirë rolet e imazhit, lëvizjes dhe kamerës. Ajo e pranon që filmbërsit e dokumentarëve përballen vazhdimisht me dilemën se a duhet të hiqet dorë nga kontrolli gjersa janë duke gjiruar, por ndryshe nga kjo ajo vetë ka zgjedhur të drejtojë filmin për shkak të dëshirës për një zhytje estetike dhe emocionale e cila arrihet sipas saj vetëm përmes performancës. Për Eneos, aspektet specifike të filmbërjes observative nuk ishin një pikë diskutimi në fillim të projektit të tij. Fillimisht i frymëzuar nga fotografia e rrugës, ai pranon se vlerat e tij estetike evoluan me kalimin e kohës. Eneos donte të tejkalonte kufijtë tradicionalë të dokumentarit dhe tha: "Studimi i karakterit nuk funksionon në dokumentar; unë nuk po ndërtoj personazhe, unë po ekzistoj së bashku me njerëz që gjithashtu ekzistojnë përtej hapësirës së dokumentarit." Kjo qasje çoi në dy rezultate të rëndësishme për Eneos: fokusimi në ruajtjen e dinjitetit të performuesve të rrugës dhe sfidimi i portretizimit perëndimor të burrave shqiptarë në kinemanë bashkëkohore.
Përgjegjësia e përfaqësimit në film përfshin portretizimin e individëve në një mënyrë të përjetshme. Brigitte beson se "jetët e njerëzve janë më të mëdha se filmi" dhe ndjen se është pompoze të pretendosh përgjegjësi për historitë e jetës së dikujt. Kjo është arsyeja pse historitë e saj janë "për të gjithë dhe askënd në veçanti," duke reflektuar konsideratat etike dhe duke i dhënë hapësirë individëve të portretizuar. Procesi i bashkëkrijimit dhe dimensioni kohor i "Afterwar"—që shtrihet për 15 vjet ishte ajo që formësoi procesin e filmbërjes, ku dëshmimi u bë si pjesë e vetë formës.
Në një mënyrë ose në një tjetër, forma e filmit duhet të jetë në një vijë me nevojën për të punuar me njerëz. Për Eneos, përshtatja e formës gjatë editimit ishte thelbësore: "Filmbërja dokumentare mund të rishpiket gjatë gjithë procesit të krijimit, duke përfshirë këtu edhe gjatë editimit." Puna e Pablos si drejtor i fotografisë në "Adrienne & The Castle" dokumenton procesin e bashkëkrijimit në një mënyrë që ngre pyetje të reja por dhe fsheh përgjigjet për ato pyetje. Filmi eksploron shtresat e performancës dhe joperformancës, fiksionit dhe jofiksionit, dhe gjithçka që ndodh në mes. Empatia e thellë që shtyn eksplorimin në thellësitë e jetës nënvizon rëndësinë e të qenit të vërtetë për ambiguitetet e performancës sonë në jetë.
Në filmbërjen observative, ambiguiteti i së vërtetës është i rëndësishëm sepse arti imiton jetën. Pavarësisht rëndësisë së strukturave narrative në studimet artistike, është e rëndësishme të lihet hapësirë për dyshim, pasiguri dhe zbulim. Puna me realitetin përfshin "aksidente të (pa)lumtura," siç i përshkruan Eneos, të cilat krijojnë pengesa të vazhdueshme dhe inkurajojnë hapjen ndaj formave dhe eksperimenteve të ndryshme. Në fund të fundit, rezultatet më të mira nga filmbërja observative janë marrëdhëniet e formuara gjatë procesit, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë edhe pasi pjesa e filmbërjes ka përfunduar prej kohësh.
Nga: Enxhi Noni
Foto: Luka Knežević Strika