04/08/2024

Një, dy. Një, dy. Frymëmarrje. Rruga drejt kinemasë Lunar mund të duket si një pafundësi në fillim, sidomos kur je duke vështruar kalanë e qytetit të Prizrenit nga poshtë. Shanset janë që rruga mund të duket ende më e gjatë se pafundësia, pikërisht në momentin që gjendesh në gjysmë të rrugës. Gjatë ecjes tatëpjetë, ndoshta mund të vësh në pikëpyetje shëndetin e mendor, mund t’i kushtosh vëmendje rrahjeve të zemrës, dhimbjes që mund të ndjesh nga kyçet e këmbës tek shpatullat e rënduara, ose ndoshta mund të jesh duke u pikëlluar për gjithë këto elemente së bashku. Ndoshta mund të ndihesh edhe më i vetëdijshëm kur dallon njerëzit që zbresin kalanë në anën tënde të kundërt, pa djersë të ftohta që ju kalojnë në kurriz. Një, dy. Frymëmarrje.

Fatmirësisht, sapo kalon pjesën më të vështirë të ngjitjes, pasi je betuar e stërbetuar që do ndalosh së ngrëni suxhuk, ose që do ndalosh së piri cigare pas çdo vakti, e që do nisësh me patjetër ndonjë aktivitet fizik për të të shoqëruar gjatë ditës, dritat e kalasë fillojnë të ndriçojnë sa vjen e më fort, dhe rruga disi drejtohet. Kur mendon që gjërat nuk mund të bëheshin më mirë se kaq, që Prizreni nuk mund të dukej më i bukur nën qiellin e natës mes gjysmë yjesh dhe plot drita banesash – pikërisht në atë moment mund t’i kushtosh vëmendje pufave të rehatshëm të kinemasë Lunar, ngjyrat e të cilëve duken që tek dera e hyrjes, pavarësisht mungesës së një burimi të qëndrueshëm drite.

“Ode to Celluloid: Filma mbi filmat” është një ndër programet speciale të DokuFest i cili pagëzon hapjen e kinemasë Lunar të shtunën mbrëma. “Në përputhje me eksplorimin tonë të gjatë të asaj se çfarë është kinemaja, historia dhe përfaqësimi i saj, ne jemi të lumtur të sjellim në festival tre dokumentarë të veçantë me metrazh të gjatë që në njëfarë mënyre ndajnë të njëjtin fiksim si ne”, thotë DokuFest në publikimin që shpall programin, dhe aq mjafton për të zgjuar interesin. Ndërkohë që trashëgimia filmike botërore po feston një shekull ekzistence në shumëllojshmërinë e formateve të saj – si formati 16mm vjet e formati 9.5mm disa vite më parë – mjaft pyetje kanë lindur nëpër ambientet e punëve arkivore dhe të trashëgimisë kulturore. Këto pyetje rrotullohen rreth politikave të ruajtjes, restaurimit dhe shpërndarjes së materialeve filmike analoge, të cilat mund ose mund të mos jenë në gjendje kritike prej vjetërsimit të bobinave në fjalë. Duke kthyer vëmendjen tek pjesa materiale e filmit, e cila në vetvete është një proces i pastër kimik, kuptime të reja kanë lindur mbi atë çfarë është filmi është dhe çfarë është bërë. DokuFest propozon një program të kuruar rreth 3 filmave me metrazh të gjatë, duke sjellë kështu më afër Prizrenit e Kosovës të njëjtat situata që mundojnë peisazhin kinematografik botëror.

Filmi i pare që hap programin e kinemasë Lunar, i cili përkon dhe me hapjen e programit Ode to Celluloid, është Alpe-Adria Underground. Jurij Meden dhe Matevž Jerman sjellin në ekran një koleksion të pazhbiruar ndonjëherë filmash të shkurtër eksperimentale të digjitalizuar nga kinoteka sllovene, projekt i filluar në vitin 2013 dhe përfunduar në 2023. 10 vite pune janë materializuar në një trup të vetëm filmi, të mbledhur së bashku nën një rrjetë reflektimesh mbi peizazhin kinematografik të skenës alternative ish-jugosllave, konkretisht në zonën e Alpe-Adria. Përpos imazheve të harruara nga librat e historisë, çështja e celuloidit kthehet në një udhëtim të gjendjes së kinemasë eksperimentale në Slloveninë e Titos, në mes të një prej trazirave më të mëdha politike të shekullit të kaluar. Megjithëse bukuria dhe rëndësia e filmit qëndron tek projektimi në ekran i emrave të lënë pas dore të kinemasë sllovene, dhe vëmendjes së kushtuar ndaj trajtimit fantastik të temave të kohës, imazhet befasojnë me hijeshinë e tyre. Ekrane të ndara, ndërhyrje nga e kaluara në formën e fragmenteve filmike, imazhe marramendëse shumëngjyrëshe që plotësojnë intervistat e sotme në mjedise funky, filmi na çon në zemër të mendjeve më të çmendura sllovene të kohës.

Film is Dead. Long Live the Film duket prej së largu si njëfarë libri historik, i shfletuar në formë vizuale. Peter Flynn niset nga koha kur filmi konsiderohej si një kundërhelm për vdekshmërinë njerëzore përmes mundësisë së përjetësimit të njerëzve dhe vendeve, drejt kohës në të cilën filmi po përballet haptazi me vdekshmërinë e tij. Përmes intervistave dhe gërmimeve të objekteve, filmi ndjek hapat e disa kinematografëve në mes të koleksioneve personale fantastike të përbëra nga gjithçka që mund të imagjinoni së bashku: udhëtime, shfaqje televizive, filma të industrisë, filma të bërë në shtëpi. Duke u kushtuar vëmendje materialeve dhe kontaktit intim të prekjes dhe nuhatjes, Flynn na shtyn të reflektojmë mbi çështjen e celuloidit, duke na vënë përballë njerëzve të magjepsur nga formati analog dhe marrëdhënien që ata kanë me materialet filmike të grumbulluara. Ndërsa kinematografët e shumtë zënë një vend të rehatshëm përpara kamerës duke pastruar, digjitalizuar dhe komentuar tërësinë e koleksioneve personale të shiritave të filmit, filmi i Flynn na ngacmon të bëjmë pyetje mbi gjendjen aktuale të arkivave. Mes vështirësive fizike dhe financiare që vijnë me kujdesin për filmin, vihen re gjithashtu dhe një numër pasigurish që materializohen nëpërmjet peizazhit digjital. Më shumë se sa thjesht të flitet për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kinemasë, Film is Dead gjithashtu trajton një aspekt të rëndësishëm të kinemasë për ata që mund ta kenë harruar paksa: kinemaja ka të bëjë me filmat po aq sa ka të bëjë me ndarjen e kohës dhe hapësirës me individë që mendojnë e ndjejnë njësoj.

Është e panevojshme të thuhet që kinemaja Lunar nuk është për zemrat e dobëta. Ndërkohë që Ode to Celluloid ofron pikëpamje të reja mbi filmin si mishërim i përjetimeve sensoriale në një spektër të gjerë emocional, shijimi i filmave që ofrohen nga programi nuk fillon e mbaron përballë ekranit të kinemasë. Së bashku me dritat e bardha e të verdha të qytetit, vezulluese në prapavijë duke u dukur si një sfond i bukur filmi në vetvete, në mes këngës së gjinkallave, gjallërisë së shtëpive të banimit përreth dhe zërave të personave që shijojnë shëtitjen e tyre të mbrëmjes, kinemaja Lunar ofron një ylber mbresash si asnjë kinema tjetër e qytetit. 

Për të interesuarit, DokuKino hap dyert për t'ju mirëpritur në shfaqjen e filmit të tretë të programit Ode to Celluloid, Celluloid Underground, që shfaqet këtë të diel në orën 19:30. 

Nga: Enxhi Noni

Foto: Agon Dana