07/08/2024

Në errësirën e natës, një dorë përpiqet të gjejë diçka mes fijeve të gjata të barit, ku një dritë elektrike ndriçon fotografinë. Tërthorazi, një zë burri nis të flasë për ëndrrat:

”Sikurna me ia nukë ni pllumi krah’t, a zogut a çka t’dush, ai menon me fluturu, po kur t’ia kputsh krahët, ai s'munet me shku kërkah”.

Analogjia e mësipërme poetike ma kujtoi gjyshin tim, i cili kur fliste për sfidat e tij të punës si emigrant në Gjermani, gjithmonë përdorte metafora dhe krahasime të ngjashme. Përshkrimi i dëshirave të zogut krahëkëputur i përmbledhë saktësisht problemet e thella të klasës punëtore në Kosovë, të cilat viteve të fundit kanë marrë vëmendje në fushën e artit pamor. 

Dëshmitë e tre punëtorëve të krahut — Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit — janë subjekti që ndjek filmi Krahët e Punëtorëve nga Ilir Hasanaj. Shtjellimi që regjisori u bën problemeve të përditshme të tyre është rezultat i një kërkimi hulumtues dhe një lidhjeje të afërt që ai ka krijuar me karakteret, gjë që i mundëson figurës së punëtorit një paraqitje të sinqertë dhe të dinjitetshme. Hetimi i temës sillet rreth një impulsi vëzhgues e të kujdesshëm të kushteve të punës dhe lëndimeve fizike serioze të punëtorëve, të cilat kanë çuar deri në humbjen e gjymtyrëve. Duke e vënë objektivin afër molisjes fizike të punëtorëve, të dallueshme qartë në fytyrat e tyre, arrijmë të depërtojmë tek fotografia e përvuajtur, përmes së cilës shpaloset rrëfimi i rrezikut të përhershëm që e karakterizon realitetin e vështirë të punëtorit në Kosovë. 

I xhiruar me shirtit filmik 16mm, Hasanaj i ka vënë në harmoni ngjyrat e filmit me realitetin fatal të kushteve të punës në Kosovë. Mbivendosja e ngjyrave të kuqërremta mbi fytyrat e karaktereve krijon një estetizim të shtuar i cili sikur përvijon rrethanat e turbullta të rrezikut në punë. Tregimi shpaloset ngadalë dhe pa imponime. Shpesh na duket sikur i kemi përballë dhe po bashkëbisedojmë me ta. Teksa flasin për pasiguritë dhe humbjen e vendit të punës, punëtorët prekin edhe raportin e padrejtë të marrëdhënieve me sistemin në fuqi. Kjo pafuqi e vazhdueshme ka një tempo të qetë dhe të ngeshme. Në montazhin e filmit, Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit u është dhënë kohë për t’i shpalosur përvojat e lëndimeve fizike, pa i trazuar nga pesha e madhe e dhimbjes.

Përfshirja e peisazheve klaustrofobike ku shihen makineritë e punës, vagonat, vinçat e ndërtesave të larta e mjetet gërryese e theksojnë frikën dhe tmerrin e përhershëm që i pret punëtorët atje jashtë. Kamera shpesh i kap punishtet e sistemet e rrotave në lëvizje, vërtetim i asaj se rreziku mund të aktivizohet prej çastit në çast. Madje, në një godinë në ndërtim e sipër – që i është bërë pamje e njohur kujtdo që jeton në Kosovë – shihet një punëtor teksa i rrëshqet këmba. Anash, afër e në këto sisteme të punës punëtori duket i vogël, i pambrojtur.

Filmi përfundon me mjetet e punës të cilat vazhdojnë t’u kanosin jetën punëtorëve në Kosovë. Brenda një ashensori dëgjohet një vijë melodike. Bashkë me të i lëmë prapa rrëfimet të cilat përfundojnë me rëntgenin e një boshti kurrizor, i cili duket i ngjashëm me atë të gjyshit tim dhe të cilin ende e ruajmë në dollap. 

Nga: Blerta Haziraj

DOKUKINO PLATO 
Koha & Data
20:00 / E mërkurë, 7 gusht 2024

KINO ABI ÇARSHIA 
Koha & Data
15:30 / E shtunë, 10 gusht 2024