06/08/2024
Diku në një fshat larg prej nesh, duket sikur të gjithë banuesit e tij, të vegjël e të mëdhenj s’kanë ç’të bëjnë shumë me ditët e tyre. Ndoshta nga mungesa e zbavitjes janë të etur për të parë diçka, për të ndjekur ndonjë akt zbavitës. Në oborrin e një kishe, një çift afër të 50ave është përgatitur për të ndjekur një akt - që duket të ketë karakter zbavitës. Me vete kanë sjellë karriget, pijet e tyre, tamam si në një piknik ose të rehatuar për të ndjekur një film në kinema. Papritur, udhëheqësi i kishës i dëbon nga oborri duke shpjeguar se ngjarja që pritet të shohim kushton me një tiketë. Çifti ik, i mllefosur nga mëria e mos-eksluzitivitetit.
Ngjarja dukshëm ka nxitur interesim te i gjithë komuniteti. Entuziazmi i turmës sa shkon e rritet, dhe numri i tyre mbush oborrin e kishës, duke e mbajtur me përsosuri tempon e këtij trilli. Shpejt kuptojmë se një djalë i ri do të hidhet nga maja e kishës, pas performimit të një akti akrobatik! Nuk dihet kujt i ka hipur në mendje që ta organizojë këtë ngjarje bizare dhe çka mund të jetë qëllimi i saj fatal.
Edhe më e vështirë të kuptohet elementi argëtues në këtë mes. Por kjo se ndal dot turmën, e cila është kapluar nga dëshira për të ndjekur spektaklin, e cila qartazi do të ketë fund tragjik. Pas aktit që zgjatë shumë pak sekonda, për çudi, të mbledhurit nisin e mërziten duke u bërtitur të zhgënjyer disa politikanëve që janë të pranishëm. Politikanët hyjnë në kishë. Turma vazhdon të dënesë dhe t’i mbledhë gjërat. Komuniteti shpërqendrohet edhe më shumë pas vdekjes së heroit. The Death of a Hero i regjisores Karin Franz Körlof ia del mbanë t’i ironizojë marrëdhëniet e sotme të hutuara njerëzore, të ndërmjetësuara nga rrjedha e imazheve absurdiste.
Nga: Blerta Haziraj
LUMBARDHI INDOOR
Koha & Data
15:00 / E martë, 6 gusht 2024