05/08/2024

Një ndjenjë shqetësimi nis të mbizotërojë prej momentit kur pamjet e kasetave të vjetra dalin në ekran. Duke përcjellë narracionin, shpejt e merr vesh se i ke hyrë një gjëegjëze që gjuhën e ka të athtë, ndërkaq përgjigjen e vështirë. Sa nis të mendosh se materializimi i këtij arkivi ftillohet me praninë e karakterit të Norës, të cilën e njoftojmë në dyndje, gjërat nisin e ngatërrohen në një sorollatje e cila do të vazhdojë nëpër çdo kuadër të filmit. Prej këtu e tutje, nisin pyetjet e që i shkojnë shumë mirë tregimit. Cila është Nora? Çfarë do të na thotë ajo?

Në kushtet gjuhësore dhe rikonstruktimin e përkohshëm të cilin regjisorja Norika Sefa ia ka dhënë materialit arkivor fshihen mesazhe të infektuara të një mungese të pashqiptueshme e cila sa vjen e bëhet më e vështirë për t’u dekoduar. Kjo mungesë është aq e pranishme gjatë filmit, sa shpesh zgjasja kryet prej ndjenjës se më është fshehur diçka–ndoshta në sendet a prapa mobileve që shihen nëpër dhoma. 

Si e Verdhë e Sëmurë është rikonstruktim i kujtimeve familjare të nxjerra nga kasetat, që duken se rrokin gosti të ndryshme brenda kësaj familjeje. Atmosferën shtëpiake ku jeton Nora dhe disa nga karakteret e filmit i kemi takuar edhe më parë në filmin Kiss Me, Now. Në këtë përpjekje për ta riinterpretuar të kaluarën, regjisorja e ka destabilizuar plotësisht autoritetin e arkivës. Duke intervenuar në kujtimet familjare, ajo ka turbulluar marrëdhënien mes karaktereve, të karaktereve me objektet, të hapësirave me sendet. Përbrenda tensionit ku testohet limiti i asaj që thuhet dhe asaj që mëtohet të thuhet, e gjithë barra i bie shikuesit i cili përfshihet të kuptojë dialektikën e imazheve. 

Me gjuhën pëshpëritëse rreth karakterit të Norës dokumentohet frika kolektive e një historie që pritet të ndodhë. Shenjat e fshehta gjuhësore në përshkrimin e ngjyrave, elementet popullore, sinjalet besëtyte e shpërbëjnë Norën në momentet kalimtare që kap syri. E kuqja përzihet herë në fustan me mëngë të gjata, e herë në fustan që zbulon krahun. Ky pozicionim i lëvizshëm i Norës e vë atë në bashkallëk me të gjitha gratë e tjera. Karakteri i saj shpërndahet në të gjitha lëvizjet, vallet, e pritjet e mysafirëve për t’u shkrirë në një konstrukt tërësor, pothuajse fantazmë. 

Një montim i përsëritshëm i momenteve të caktuara kryen efektin e vet mirë. Gratë vazhdojnë të sillen si hije, sikur dikush t’i kishte drejtuar në sjellje. Kështu, në krejt filmin i sheh dhe i mban mend lehtë ahengjet me vallëzime dhe burrat që pinë raki. I dallon edhe televizionin, duartrokitjet, dollapët, tavolinat me ushqim, abazhurët dhe tullumbacet. Frika rritet mes kuadrave ku gratë e pështjellojnë rendin e rregullt të arkivit. Në këtë restaurim ato na tregojnë se diçka ka ikur; diçka mund të na ketë ikur. 

Pak pas gjysmës së filmit, dalim pak më gjatë në oborr, pastaj kthehemi përsëri në një aheng për të përfunduar tek pamjet që vërtetojnë gjendjen e Norës. Mendimet e mjegullta dhe pyetjet e saj shpërndahen qetësisht nëpër kodër, marrin forma njeriu që ecin dhe ikin. Në mungesë të pamjeve, terrori vazhdon në ekranin e zi. Në lojën e filmit shikuesi e zbërthen përgjigjen e atmosferës së montuar: frikën e paralajmëruar nga Nora.

Nga Blerta Haziraj

DOKUKINO PLATO 
Koha & Data
20:00 / E hënë, 5 gusht 2024

KINO ABI ÇARSHIA 
Koha & Data
15:30 / E enjte, 8 gusht 2024