04/08/2024
Fillimi i serisë DokuTalks gjen strehën e vet: nën një tendë të ngjashme me atë të një teatri, të përgatitur me kujdes nga ekipi i palodhur i DokuFest-it, e përbërë nga karrige të bardha që bie në kontrast me ngjyrat e fluturës së sloganit Rend i Ri. Hapësira e hapur e kopshtit Shani Efendi – e mbushur me pemë të larta dhe ne ndjesinë e flladit të freskët që u kujton të gjithëve valën ekstreme të të nxehtit të vetëm disa momenteve më parë – mblodhi këtë pasdite të shtune tre regjisorë për të folur për konceptin e komunitetit, materialitetin dhe krizën klimatike. E moderuar nga Dea Gjinovci, kuratorja e DokuTalks bashkë me Eroll Bilibanin, biseda vuri në pah veçoritë e filmave të regjisoreve përballë krizës ekologjike, rëndësinë e komuniteteve dhe bashkëpunimit, dhe filmbërjen si një mjet në pasqyrimin e mënyrave të reja të të qenurit në momente të vështira.
Sofie Benoot, regjisorja e filmit konkurrues në programin Green Dox, “Apple Cider Vinegar”, ndau përvojën e saj të diagnostikimit me një gur në veshka dhe tronditjen që solli perceptimi mbi mineralet që mund të rriten në trupin e njeriut. Kjo përvojë trupore frymëzoi një këndvështrim tjetër të të parit të gurëve në peizazhin natyror, asaj të një perspektive të mishëruar, duke vënë kështu në pikëpyetje krijimin e një raporti ndryshe me natyrën. "Bota banon brenda nesh", thotë Sofie, por ndonjëherë është e vështirë të mendosh për këtë si mundësi, për shkak se bota është një vend i madh në krahasim me ekzistencën e vogël të një personi. E intriguar nga pyetja e shkallëzimit – ose ndryshe, se si një person i referohet fenomeneve me hapje të gjerë në krahasim me hapësirën me përmasa të vogla që individi zë në Tokë – Sofie shprehu dëshirën për të kapërcyer distancat e imazheve ekologjike duke drejtuar vëmendjen drejt përvojave të përditshme të njerëzve. Meqenëse kriza klimatike është një pikënisje për filmin e Sofie-s, regjisorja gjithashtu shprehu qëllimin për të kuptuar mënyrat se si ne kundrojmë natyrën, duke ndihmuar kështu mënyra të reja të të folurit rreth temës. Ndërsa lidhja me natyrën mund të perceptohet si e idealizuar, Sofie vuri rëndësinë tek ndjenjat e tjera që shfaqen gjatë rrugës, ndoshta të nënvlerësuara, si neveria dhe shqetësimi, që janë të rëndësishme për t’u përfshirë në bisedë pavarësisht nga sfera e rëndë emocionale që sjellin me vete. Më e rëndësishmja, megjithatë, qëndron shndërrimi i audiences në publik; që do të thotë, është e rëndësishme për Sofie-n që njerëzit në audience të jenë në gjendje të ndajnë ndjenjën e ndërgjegjësimit ekologjik. Është pikërisht kjo ndjenjë që transformon audiencat në publik.
Petra Holzer, regjisore dhe drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarit Ekologjik Bozcaada, flet për përvojën e punës me komunitetet në Turqi, të prekura nga minierat e arit me cianid. Megjithëse procesi është i efektshme për kompanitë që e përdorin, Petra i kushtoi vëmendje mënyrës se si ky sistem i rrezikshëm i filtrimit të arit ndikon në shëndetin e njerëzve. Nga ana tjetër, marrëdhënia e njerëzve me tokën është gjithashtu thelbësore, e përcaktuar nga paqartësia e rreziqeve të mëdha shëndetësore dhe mundësive të punësimit, e ilustruar më së miri me anëtarët e komunitetit që thonë se "ari në vetvete është toka jonë". Si drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarit Ekologjik, Petra thotë se motoja vazhdon të jetë "në hapësirë të vogël, në mënyrë të ngadaltë, lokal". Filozofia e festivalit mbështetet në rëndësinë e bashkëjetesës së pikëpamjeve të shumta, veçanërisht zërat që janë margjinalizuar historikisht në narrativat shoqërore dominuese. Në këtë mënyrë, zërat dhe filmat që i bëhen së bashku, arrijnë disi të fillojnë një bisedë mes njëri-tjetrit gjatë gjithë festivalit, pasi “kriza është e madhe, por ne përpiqemi të bashkohemi dhe të bëjmë njëri-tjetrin më të fortë”, sipas Petra-s. Duke pranuar se festivali ka ndikuar në jetën e ishullit në të cilin mbahet i njëjti festival, Petra shpreson që impakti i filmave dhe diskutimeve që mbahen gjatë festivalit të jetë i dobishëm për të gjithë dhe gjithçka në një plan afatgjatë.
Leonie Witka, bashkë-regjisore e Forest of Frames, një film i gjatë i përfshirë në programin special të edicionit të këtij viti, ndau përvojën e krijimit të filmave në mënyrë kolektive, ndërkohë që çdo individ i ekipit përballej me veçantitë e pyllit në të cilin po jetonin. Për Leonie, përvoja krijuese e bërjes së një filmi në lidhje me temën e ekologjisë gjen kuptim në kohën e shpenzuar së bashku, duke dalë jashtë zonës së rehatisë në një mënyrë të përbashkët. Ndërsa Leonie shprehu disa sfida në lidhje me aspektin vizual të filmimit të trupave njerëzore në peizazhin natyror, regjisorja gjithashtu theksoi rëndësinë e përvojës së gjithësecilit në kuptimin e çdo të thotë një ‘qenie jo-njerëzore’. Ndërsa zërat dhe mendimet e ndryshme të regjisorëve janë të përziera së bashku, ata përbëjnë një rrjet unik që u lejon audiencave të miqësohen me perspektiva të ndryshme ambientaliste, duke ju lejuar kështu të frymëzohen nga bashkëpunimi i gjendur brenda dhe jashtë filmit.
Edhe pse biseda në tërësi u mbajt rreth metodologjive të reja të krijimit artistik përballë krizës klimatike, pyetjet nga audienca lanë të kuptohet një pikëpamje e rëndësishme mbi filmin si një mjet në krijimin e marrëdhënieve. E ballafaquar me qëndrimet e angazhuara që audiencat mund të krijojnë përmes filmave të tyre, Petra përsëriti nevojën për të hapur dialogun më tej dhe për të përfshirë sa më shumë perspektiva të jetuari në bisedë. Për Sofie-n, filmi është një mjet i dobishëm që operon në nivele të ndryshme, kështu që qëllimi i regjisorëve duhet të jetë në krijimin dhe rrëfimin e imazheve të reja që mund të lidhen me sistemin ekologjik, të cilët më pas, si pasojë, do të ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të qetë dhe të reflektojnë mbi botën përreth tyre. Për Leonie-n, përvoja e filmit duhet të jetë e mjaftueshme për të ngacmuar audiencën dhe si rrjedhim t'i udhëzojë në mënyrën më të përshtatshme për t'u përballur me situatën ekologjike.
Ndërsa krijimi i filmave dhe mjediset përreth gëzojnë një marrëdhënie thelbësore, Sofie thotë se marrëdhënia me natyrën ndikoi thellësisht në aftësitë e saj të bërjes së filmave; është në ‘kalimin e kohës’ me diçka ose dikë që kemi mundësinë të kuptojmë plotësisht njëri-tjetrin. Duke përdorur krijimin kolektiv të filmave si një metodë transformuese, Leonie përmend mënyrën se si mjedisi rrjedh përmes regjisorit. Petra, nga ana tjetër, duke kujtuar përvojën e rrezikut nga shiu acid dhe kërcënimeve të luftës bërthamore, drejton vëmendjen ndaj ndërthurjes së elementeve që karakterizon përvojën njerëzore. “Është intrigues fakti që imazhi i këtij edicioni të DokuFest është flutura, sepse ajo i mbijeton kaosit”, thotë Petra, “pasi përplasja e krahëve është gjithashtu elementi që gjendet në fillim të kaosit”. “Megjithëse flutura e quajtur ‘monark’ nuk është një qenie e rrezikshme në vetvete,- vijon Sofie, - efekti i të gjitha fluturave monarkë të mbledhura së bashku në Brazil, mund të ndihet deri në Florida”.
Nga: Enxhi Noni
Foto: Suer Celina