06/08/2024

Mbrëmë ishim në shoqërinë Eljesa Bekës dhe Aleksi Perälä! Në DokuNights, pas një dite të gjatë që hynte dhe dilte në kinema, ekrani i bardhë i Kino Lumbardhi u mbush me imazhet që pasoheshin dhe ndërthureshin me dinamizmin dhe ritmikën goditëse të Eljesa Bekës dhe shprehitë e buta dhe të rrjedhshme muzikore të Perälä.

Duke filluar sesionin muzikor me Eljesa Bekën, audienca u ndërthur në përvojën gjithëpërfshirëse të cilën muzika e saj gjithmonë e ka në fokus të veçantë. Duke u frymëzuar nga shkrimi, përvojat e saj personale, duke mbledhur tinguj që janë specifikë për jetën e saj dhe momentet e kënaqësisë dhe shoqërimit e gjithë kjo eksperiencë jetësore dhe kulturore përmblidhet në një set, gati si një palimpsest jetësor që kyçet në muzikë, si e vetmja formë për të shprehur në një gjuhë universale atë çfarë përjetohet. 

Performanca e Eljesës shënon gjithashtu në një mënyrë të veçantë një shenjë se brezi i ri, fillestarët e mbushur me kuriozitet dhe lumturi, kanë gjetur mënyra për të komunikuar me publikun që është veçanërisht i etur për të eksperimentuar dhe që ndjenjat e tyre të eksplorohen në një mënyrë që i flet gjeneratës me gjithë ndërlikimet dhe sendet të cilat ende nuk gjejnë rrugën drejt fjalëve.

Pas setit të Eljesës, Aleksi Perälä, një artist dhe producent i njohur, doli në skenë me një set të karakterizuar nga një tingull magjepsës dhe i rrjedhshëm që plotësonte në mënyrë të përkryer ambientin e Kino Lumbardhit. Muzika e tij, e mbushur me përbërës natyralë dhe elementë, lëmonte atmosferën me një ndjenjë paqeje dhe ritmi. Kjo harmoni e bëri DokuNights një eksplorim të vërtetë të zemrës dhe kufijve të muzikës.

Të dy grupet bashkuan dyshen e kohëve të vjetra: natyrën dhe kulturën, dhe të gjitha mënyrat se si bëhet një frymëzim i veçantë për të koduar përvojat personale në një vrull të dendur ngjarjesh, duke dëgjuar gjithashtu natyrën në një mënyrë që trajton trupin dhe mendjen në ritmet e tyre të mëvetshme.

Ishte një natë vërtet e mrekullueshme dhe DokuNights ju fton të na bashkoheni në Kino Lumbardhi pas gjithë vizitave në kinema, ekspozitë, biseda dhe evente. Aktiviteti i radhës, fillon në orën 22:00 të datës 6 gusht.

Nga: Blerina Kanxha

Foto: Agon Dana