05/08/2024
Rruga për në Kino Lumi është e ngadaltë, por hapat duhet të jenë të vendosur, pasi do të hasni në gjithçka dhe në çdokënd njëherësh. Mes bareve të mbushur me njerëz, një grusht individësh ecin lart e poshtë rrugëve të ngushta, duke u dukur që enden pa qëllim. Zhurmat e motoçikletave, njerëzve që bisedojnë dhe fëmijëve që luajnë mbushin ajrin. Qyteti i Prizrenit në tërësinë e tij përjetohet gjatë shikimeve në Kino Lumi. Një pjesë tjetër e jetës së brendshme, siç e njohim ne, merr dalëngadalë dritë tjetër ndërsa shfaqet në ekranin e kinemasë.
Ever since I have been flying nga Aylin Gökmen, shfaq aq sa të bënë të ndjesh se si është të jesh pemë në pranverë, të lahesh në ujëra natyrale ndërsa duart e gjyshes zhyten në to. Një zë i butë, poetik mbush hapësirën ndërmjet kinemasë dhe jetës në të dy anët e lumit. Një thirrje e bërë përmes dy gishtave, fushave të pambukut dhe një ndjesie të natyrshme malli mund të portretizohet vetëm përmes ngjyrave paksa të zbehura. Ka letra shumë të ndjeshme për mamin, një tjetër për një të dashur dhe një tjetër për veten, që shprehin ndjenjat e ngadalësisë, pikëllimit, vendnumërimit, zhvendosjes fizike dhe ndjesisë se zemra nuk është në vendin e duhur. Një palë sy të rënduar, një fytyrë e drejtë dhe një zë i thellë tregojnë një histori dhune. Çfarë ndodh para se të filloni të fluturoni? Shkoni pak nga pak. Dhe pasi të fluturoni? Vendos një muzikë që të kujton shtëpinë dhe i lë sytë të mbushen me lot, por vetëm pak.
Në Another Day nga Eneos Çarka, koha qëndron në vend për Besmirin dhe Rafaelin kur ata performojnë së bashku në rrugë. Çkado që ndodh para shfaqjeve të tyre, dhe çkado që ndodh pas shfaqjeve, nuk ekziston për këtë dyshe të veçantë. Kur i fillojnë truqet e tyre akrobatike në qoshet e pista të rrugëve italiane, harrojnë se njëri ka një gjendje fizike dhe tjetri është i përndjekur nga fantazmat e së kaluarës së familjes së tij. Ata harrojnë se kanë numëruar monedhat e djeshme një nga një, duke shpresuar të vazhdojnë të ekzistojnë edhe një ditë. Ata harrojnë apartamentin e tyre të vogël e të ngushtë dhe policinë që shkurton kohën e shfaqjes së tyre në rrugë. Ata ekzistojnë në të njëjtën kohë dhe hapësirë si njerëzit që vendosin me padurim paratë në kapelën e tyre budallaqe dhe që duan të bëjnë fotografi me shpresën për të mos harruar përvojën e përbashkët të gëzimit dhe lëvizjeve trupore që sfidojnë gravitetin. Ndonjëherë, jashtë shfaqjeve të tyre në rrugë, ata flasin për Gogolin dhe Brechtin, dhe ndonjëherë bashkëndajnë një birrë. Pikërisht pas shfaqjeve u kujtohet se sa e rëndë është jeta dhe pikërisht në atë moment nisin të shfaqen të çarat e para të miqësisë së tyre. Edhe pse historia përfundon në një moment, dhe megjithëse Besmiri dhe Rafaeli përfundimisht ndahen, ata mbeten të ngrirë në kohë pranë njëri-tjetrit në bluzat e tyre me vija dhe pantallonat e tyre tipike të kuqe me një shirit të vetëm të bardhë.
Kur përballet me momente intimiteti të thellë gjatë realizimit të filmit, Eneos Çarka thotë se ndonjëherë procesi është thjesht intuitiv. Nëse ka dyshime lidhur me atë se a ka rregulla për zbërthimin e asaj që tashmë dihet, ndonjëherë qasja më e mirë është te bëni një hap në një kohë dhe të jeni të respektueshëm. “Më duhej të isha i përgjegjshëm dhe të kujdesesha për dinjitetin e tyre në ekran, sepse kjo është diçka për të cilën ne, si regjisorë të dokumentarëve, duhet të mendojmë dhe të kujdesemi… Më kanë dhënë shumë besim prandaj edhe unë duhej ta ktheja atë”, thotë Eneos.
DokuTalk i së enjtes do të mbahet pikërisht rreth çështjeve të intimitetit në kinemanë vëzhguese, ku regjisorë të ndryshëm të dokumentarëve do të shtjellojnë më tej dilemat etike që lidhen me tregimet dhe personazhet e tyre.
Nga: Enxhi Noni
Foto: Suer Celina