07/08/2024

Fokusi në zhvillimet historike dhe fokusimi te arkivat është një nga ndërmarrjet më të zellshme të dekadës së fundit duke ndërthurur zhvillimet teknologjike në mënyrat se si mund t’i trajtojmë potencialisht këto arkiva dhe si mund t’u qasemi më thelbësisht. 

Por çfarë është ARchipelago? E menduar si një platformë lehtësisht e aksesueshme online në formën e një aplikacioni, ka shtyrë krijueset e saj Armina Pilav dhe Clarissa Thieme në bashkëpunim me Farhan Khalid të punojnë me arkivat e luftës dhe dokumentacione të pas-luftës në qytete të ndryshme në Ballkan duke përfshirë edhe qytetin e Prizrenit. 

Marrë shkas nga përftimi i arkivës së Naci dhe Nafis Lokvica, arkiva familjare e të cilëve mban dokumentime rudimentare të jetës në Prizren dhe në vijimësi nga ngjarjet e vitit 1999 me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, u bë e mundur që ky arkiv të vendoset në këtë aplikacion si dhe të zhvillohen evente përgjatë Dokufestit lidhur me këtë arkivë. 

Forma mes të cilës ky aplikacion funksionon është të shihen pikat e vendosura në hartën e qytetit të Prizrenit (por jo vetëm) dhe lidhur me këto vendndodhje u bashkangjiten dokumentacione audio-vizive si dhe tekste shoqëruese që i konteksualizojnë këto materiale. 

Ndaj ARchipelago e sjell këtë ndërthurje të materialeve historike dhe personale si për të ndërtuar forma të reja mes të cilave mund të kemi lehtësisht qasje ndaj informacionit. 

Bengi Muzbeg, një nga bashkëpunëtorët në Prizren shprehet se: riorganizimi dhe dukshmëria  e arkivave dhe veçanërisht e arkivave vetjake, shërben me një funksion shumë të rëndësishëm për të kuptuar humbjen e vlerave të cilën po e përjetojmë. 

Ekipi i ARchipelago zhvilloi një guidë të ndërmjetësuar në Prizren, si një formë interaktive për ta vënë në funksion këtë arkivë të digjitalizuar me mundësinë për të hapur shtigje të reja mbi mënyrat se si arkivat mund të rigjallërohen. Gjë që hap rrugë për punë të reja në të ardhmen dhe Muzbeg thotë se: Në të ardhmen ARchipelago do të përpiqet të bëjë bashkë dëshmi dhe memorie individuale nga vende të ndryshme, veçanërisht nga Ballkani. Kur këto arkiva të rivizitohen, do të vërejmë se problemet ekzistuese janë në fakt problemet tona të përbashkëta, Nuk janë thjesht, probleme rajone por problematike sistemike.”

Ky projekt është zhvilluar në bashkëpunim me CZDK (Center for Cultural Decontamination, Belgrade/Serbia), Dokufest, Arkivi Publik i Lumbardhi me koleksionin e arkivës së Naci dhe Nasif Lokvica, Biblioteka Hamdija Kreševljaković, (Sarajevë / Bosnje dhe Hercegovinë)Un-War Space Lab, (Brač Island/ Kroaci dhe Mostar / Bosnje dhe Hercegovinë).

Shkarkoni aplikacionin: këtu

Nga: Blerina Kanxha

Foto: Suer Celina