04/08/2024
Një burrë dhe një kal ecin nëpër një peizazh të zymtë dhe të mjegullt, duke vazhduar rutinën e tyre të përditshme që e ruan jetën ashtu siç është, duke radhitur në mendje atë që ka mbetur nga natyra dhe njerëzit.
Balkan Dox i këtij viti fillon me "At the Door of the House, Who Will Come Knocking " të Maja Novaković-it, një rrëfim i gjatë dhe me pezulli mbi vetminë dhe vetë-zbulimin mes kryqëzimit të së shkuarës politike dhe të ardhmes së pasigurt. Duke u hapur me një peizazh me shtroja të holla bore, ne shohim shtëpinë në pyll, duke pritur që të zhvillohet historia e Eminit.
Marrëdhënia midis personazhit kryesor, Eminit, dhe kalit të tij ka një cilësi të qartë poetike. Ndjenja e çlirimit vjen gjatë një kohe lumturie dhe pasigurie, megjithatë ky çlirim përqafon spektrin e plotë të kuptimit dhe e rikthen jetën në cilësinë e saj të vijueshme të qetësisë dhe qëndrueshmërisë.
Premisa e të mbeturit pas përshkon Ballkanin për shkak të migrimit, ndryshimeve ekonomike, politikës dhe ndërrimeve të gjeneratave, duke i shndërruar hapësirat dikur të gjalla komunale në një gjendje dëshpërimi dhe vjetrimi.
Dritat e qarta që depërtojnë në vetminë e shpalosur të Eminit reflektohen ngrohtësisht në fytyrën e tij, duke zbuluar gëzimin dhe shqetësimin e përditshmërisë së tij. Përvojat e tij i bëjnë jehonë aspekteve të identitetit ‘ballkanas’, shpesh të hipersimbolizuara dhe të ripërsëritura si një mënyrë për të karakterizuar dikë që jeton në rajon, edhe perceptimet që mund të kenë të huajt mbi këtë identitet.
Megjithatë, ka shumë më tepër për të zbuluar. Filmi shpalos cilësitë e këmbënguljes dhe miqësisë brenda peizazhit idilik. Çdo gjë ka për qëllim të shërbejë në mbështetje të jetës, megjithatë hapësira perceptohet si e mbipopulluar. Ne ndjekim Eminin, i cili nga larg mund të duket si një personazh i një eposi ballkanik.
Stufa e ndezur, rrugët me borë, kërcëllitja e vezëve të skuqura, pak konjak apo raki dhe një kafshë miqësore në sfondin e një peizazhi të ashpër dhe të pazbutur, përbëjnë mjedisin e një përrallë ikonike ballkanike. Ky portretizim është vlerësuar si një zgjedhje e qëllimshme artistike. Megjithatë, në këtë rast, këto trope ballkanase ndërthuren me përvojën njerëzore të vetmisë dhe sjellin një rrëfim poetik të jetës që shpeshherë vlerësohen ndryshe.
Tapeti i thurur tradicionalisht, i lyer me fjolla bore që ndjekin një lumë, zbërthen shtigjet drejt shtëpisë në mënyrë metaforike. Interesi i mprehtë i Novaković-it për poetikën e imazheve reflektohet në pamjet frymëmarrëse dhe dinamike të përzgjedhjes së kinematografisë, të cilat pulsojnë ngadalë nëpër ekran, duke elaboruar figurën e Eminit mes mjedisit të tij të gjerë me ngjyra dhe detaje të sakta.
Në ato pak sekuenca të bisedave të tij, ai flet në mënyrë telegramike. Ai ndihet mirë. Ai është i sëmurë. Çdo gjë është në rregull. Të gjithë janë larguar. Të gjithë vrapojnë për të shkuar diku tjetër. Ndoshta aty ku peizazhi nuk është aq i qartë, ai vë veten përpara përgjegjësisë: Ku po shkojnë të gjithë?
Kjo mënyrë vetmitare e jetës, rreket të gjejë përgjigje a ngushëllim në forma rutinore, ndërsa dokumentari vijon me disa sekuenca gati si prej ëndrrash me fëmijë, zëri i të cilëve jehon në këngë e ninulla, me tekste që flasin për natyrën, krijesat dhe zanat, që i këndojnë gjumit dhe jetës. Në mesin e gjithë këtij udhëtimi zanor me elemente të fantastikes, gjendet një prehje mendore që mund të lexohet si shpresë për vijimësinë e jetës dhe traditës.
Në një bashkëbisedim me regjisoren e dokumentarit në DokuKino, ajo u thellua më shumë në raportin e personazhit me mjedisin e tij, teksa e ka xhiruar vetë të gjithë dokumentarin me kamera, objektiv dhe trekëmbësh. Për shumëkush fliste në kuptimin e intimitetit të shtresave që përshkruan ky dokumentar. Ajo thekson faktin se të qenit nga e njëjta zonë me Eminin, e bëri lidhjen e besimit më të afërt dhe të lehtë për t'u punuar. Një pjesë shumë e rëndësishme e gjuhës në këtë dokumentar është muzika, e cila është krijuar me kujdes dhe mjeshtëri nga Luka Barajeviq.
Ky është një dokumentar që na nxit të shohim jetën në ritmin e saj më të ngadaltë sipas përvojës së moshës, ndërkohë që titulli ruan misterin dhe pezullimin në të cilin zhytet i gjithë dokumentarin. Ju ftojmë ta shihni këtë pasqyrim të vetmisë me durim dhe kuriozitet, e më e rëndësishmja - me një sy të mprehtë mbi atë që mbetet nga një njeri që e bën natyrën shokun e tij më të mirë.
Shfaqja e radhës do të jetë në Lunar Cinema, me 8 gusht nga ora 22:30.
Nga: Blerina Kanxha
Foto: Furkan Çelik