09/08/2023
Bashkimi bën fuqinë dhe kjo është mëse e vërtetë, sidomos ku fjala është për bashkëpunime të cilat kërkojnë kreativitet, shumë mendje dhe shumë punë. DokuTalk i kësaj të marte iu dedikua një diskutimi të gjerë rreth dysheve të filmbërësve. Nën moderimin e Dea Gjinovcit, panelistët ndanë eksperiencat e tyre lidhur me të paturit e një partneri në skenën e xhirimeve.
Për të ftuarit Boris Garavini, producent i filmit “Knit’s Island” dhe Guilhem Causse, bashkë-regjisor i “Knit’s Island” bashkëpunimi kishte lindur organikisht teksa në universitet kishin zbuluar se të dy ishin pjesë e një komuniteti të apasionuar pas videolojërave.
“Teksa u takuam e gjetëm vetën duke folur për këtë botë virtuale dhe eventualisht teksa flisnim me orë të tëra na lindi ideja për të trajtuar pikërisht atë tematikë që patë në filmin tonë. Çfarë ndodh pasi je lodhur nga një videolojë”, u shpreh Guilhem Causse lidhur me indicien që solli në bashkëpunimin e tij me producentin e filmit Boris Garavini.
Ndërsa për dyshen tjetër, përkatësisht Ada Solomon dhe Alexandru Solomon, producenti dhe filmbërësi i filmit “Arsenie. An Amazing Afterlife” ndarja bashkë e sheshxhirimit është një proces organik që ia ka dalë më së miri të gjejë balancat.
“Do ta konsideroja marrëdhënien tonë provokuese dhe argëtuese, por me baza tejet të forta,” u shpreh Ada lidhur me marrëdhënien e saj me Alexandru.
“Ada ka qenë më shumë përkrahëse ndaj projekteve të mia kur unë e kam ndjerë veten disi të lodhur. Një tjetër veti që Ada ndan është aftësia për të gjetur personin e duhur për skuadrën, sa herë që unë e kam të vështirë të gjej një bashkëpunëtor të mirë ajo vjen me një përputhje ideale të cilën e ka në mendje duke më dhënë zgjidhje”, tha Alexandru Solomon.
DokuTalk i kësaj të marte do të pasohet nga një tjetër që do të mbahet këtë të mërkurë në po të njejtën hapësirë, për të vijuar kështu një njdër pjesët më interesante të DokuFest, diskutimet.
Nga: Ana Haxhimali
Fotografia: Furkan Celik