08/08/2023

A mund të mendojmë për limitet e shkeljes së privatësisë në periudhën në të cilën jetojmë?
A mundemi ta mbrojmë veten nga rregullat të cilat ndërhyjnë në jetët tona personale. Siç thuhet edhe në dokumentarin Phantom Parrot,  e gjithë shoqëria mund të hetohet vetëm përmes një objekti: telefoni. 

Rrëfimin e udhëheq një aktivist i të drejtave të njeriut i cili ndalohet në aeroport për një kontroll sigurie, dhe mbahet në hetuesi për shkak se nuk lejonte të përdorej telefoni përmes fjalëkalimit. Çfarë vjen pas janë muaj e vite rezistence ndaj kësaj të drejte që njeriu ka për privatë. Kjo e drejtë është lehtësisht e hetueshme përmes mjeteve dhe programeve të ndryshme që edhe siç paraqitet në dokumentar përdoren në mënyra të pahetueshme prej shërbimeve të inteligjencës. 

Pasojat e kanosjes së privatësisë të shtrira në këto forma moderne e kanë zanafillën prej ligjeve kundër terrorizmit pas 11 shtatorit në Amerikë. Në Angli, shërbimet policore e mbajnë të drejtën e të ndaluarit të individëve të ndryshëm duke krijuar situata, njëjtë si në dokumentar ku individët detyrohen të dorëzojnë të dhënat e tyre. Regjisorja Stonehill u shpreh se kjo çështje ka krijuar problematika të thella dhe një numër shumë i lartë i njerëzve hasen me këtë problematikë edhe për shkak të paragjykimeve racore.

“Çështja kryesore e kësaj historie është se po operohet me një ligj të miratuar shtatë vjet para se të krijohej iPhone e tanimë përdoret për të çështje të shërbimeve sekrete për të mbledhur të dhëna e ne jetojmë në një epokë që ka një numër të pafundmë të dhënash, e tanimë çështja e survejimit kthehet te njerëzit mund të shtrojnë pyetjen nëse duhet të kenë frikë nga vetja” - tha regjisorja Stonehill duke përshkuar rëndësinë e të qenit vigjilentë në lidhje me përdorimin vetjak të sendeve elektronike.

Në vijim e dokumentarit, teksa ndjekim historinë e Muhamet Rabbanit, ndjekim dhe zbulimin programit Phantom Parrot, një program i fshehtë i inteligjencës që mban të gjitha të dhënat personale të individëve teksa fluturojnë në aeroporte. Prej kësaj, zhbëhen kufijtë mes personales dhe publikes dhe nëse do të kemi mundësinë që të hartohen ligje më të kujdesshme për të drejtat digjitale të individëve.

Përgjatë takimit me publikun, regjisorja Kate Stonehill u shpreh se edhe ajo vetë ka patur parasysh të ketë masa sigurie përgjatë realizimit të këtij dokumentari. Çështja ishte delikate dhe duke qenë e kujdesshme me mënyrën me të cilën ka operuar për të mbajtur kontaktet me njerëz të cilët potencialisht ishin të survejuar, e ka bërë të reflektojë mbi qëndrimet që duhen mbajtur ndaj legjislaturave të përgjithshme.

Për të gjithë ata që duan ta shohin këtë dokumentar në DokuFest, munden ta ndjekin më 9 gusht, prej orës 20:00 në Sonar Cinema.

Nga: Blerina Kanxha

Photo: Agon Dana