11/08/2023

Në frontin e luftës, kufiri i jetës dhe i vdekjes është më i hollë se një fije floku. Gjatë luftës, asnjë pyetje më e frikshme nuk u bë më shpesh se: ‘A është gjallë?’. Përgjigja mund të dhuronte jetë dhe ta merrte poashtu. Një përgjigje ku nuk ekzistonte një mes i artë, për të pasur shpresë. Përgjigja duhej të ishte e prerë, e qartë, andaj nuk ishte aq e thjesht…

Rrëfimi për Krushën e Madhe i kishte bërë bashkë dy regjisorët  Blerina Këllezi dhe Gazmend Bajri. Përkushtimi i tyre për ta krijuar një dokumentar rrëqethës dhe shumë emocional për të bëmat e serbëve në Krushën e Madhe u shpalos në Kino Lumi. Ata që mbijetuan masakrën e Krushës së Madhe po riktheheshin 24 vite pas. Kujtesa e tyre ishte shumë e freskët, plagët e tyre ishin aty, për të mos ikur kurrë. Kujtimet për ata që nuk janë më, nuk ikën, u bën edhe më të fuqishme me kalimin e viteve.

Njëra prej personazheve tregonte se si djali i saj disamuajsh sillej rreth pushkës se një krimineli serb për dy orë. Të tjerët tregonin së si i panë të dashurit duke u torturuar e duke u vrarë. Asnjë fjalë nuk mjafton për të treguar dhimbjen e tyre që e shprehnin sa herë i shqiptonin fjalitë. Të gjitha përjetimet e tyre kishin vuajtje të pashtershme.

Një melodi e mbushur më dhimbje shoqërohej në sfond gjatë një orë të filmit. Për gratë ishte e vështirë edhe periudha e pasluftës, sepse ato përballeshin me paragjykimet e tipit ‘Ti pa burrë po del në qytet vet a?’, ‘Pse po i çon çikat në shkollë?’. Filmi mbaroi, por të gjitha këto histori presin përgjigje.

Regjisorja Blerina Këllezi bënë të ditur mënyrën se në çfarë forme janë përzgjedhur folësit në dokumentar. “Gjetja e personave në film ka qenë një farë mundësi dhe rastësie, kishte të bënte me atë se kush ishte i gatshëm të fliste, pasi që është e vështirë të dëgjohen rrëfimet e tyre e lërë më të thuhen, është e vështirë të flasësh për këto përjetime”.

Women of Liberty – Gratë e Lirisë, një dokumentim i gjallë

Në vijim po shfaqej “Gratë e Lirisë”, film ky dedikuar grave të palëkundura ndaj qëllimeve të tyre. Këto gra po i prinin demonstratave në fund të 90’ve në Kosovë. Melihate Tërmkolli, Edita Tahiri, Edi Shukri ishin vetëm disa prej atyre që vërtetonin se çfarë ka ndodhur gjatë atyre viteve. Pankartat me mbishkrime si: “Nuk jemi nëna vrasësish”, “Drenicë po vijmë për ty”, “Duam ndarje paqësore” i mbanin në duar gjatë protestave.  Rrëfimet, pamjet dhe dokumentimet e këtij filmi shkëputin copëza realiteti të një periudhe të vështirë të vendit tonë. 

Në zonën e Drenicës (në Skenderaj) u krijuan fortifikata të pakalueshme, duke bashkëndjerë me nënat e fëmijët e kësaj zone, shumë gra, qindra prej tyre u nisën bashkë për një qëllim të përbashkët. Gjithçka që ndodhte në atë periudhe në vendin tonë kishte në gjenezë, idealin. Ani pse të dëshpëruar me një drejtësi që nuk do të mbërrinte kurrë, gratë e Kosovës ishin të bindura që marshi i tyre do të përçonte mesazhin doemos. Kështu edhe ndodhi, ani pse demonstrata masive u ndërpre dhe ato u detyruan të kthehen mbrapsht. Megjithatë këto gra arritën t’i tregojnë botës për pa drejtësitë që po i bëheshin Kosovës. 

‘Gratë e Lirisë’ është një dokumentim i gjallë, me rëndësi e peshë për historinë e vendit tonë.

Nga: Valona Hasani

Fotografia: Elmedina Arapi