10/08/2023
Në Kino Lumi, patëm rastin të shihnim një përzgjedhje filmash që pasqyronin realitetet urbane të Tiranës, Kamzës dhe Shqipërisë në përgjithësi, duke kërkuar për vendet që nuk janë më e më tej. Autorët e filmit janë pjesëmarrësit e shkollës trajnuese: Tirana dhe Kamza – e planifikuara, e paplanifikuara dhe çdo gjë e ndërmjetme.
Peizazhi urban sjell gjithmonë provokim dhe hapësirë për reflektim në Shqipëri e ndërlidhjet me të paraqiten si reagim i një ndërhyrjeje të beftë e definitive që nuk lë vend për ndryshim. . "A travel captured" me regji nga Willie Vogel ngre çështjen e transportit të materialit si bazë për të ndërtim. Tirana dhe Kamza janë të prekura nga planet urbanistike e nearrijmë të shohim se si nxirren materialet duke ndjekur një kamerë që drejtohet në qytet ku mbizotërojnë imazhe industriale ku ekskavatorët dhe betoni përcaktojnë peizazhin. Pyetja mbetet, cili është pozicioni ynë në këtë rrugëtim që gjithnjë duket se ndryshon destionacion?
Ndërsa në "Moving Enclosures" me regji nga Arba Bekteshi, Irvi Çela dhe Nama'a Qudah, shohim pasojat e zhvillimit urban në Tiranë në zonën e "Pazarit të Ri". Ka një farë dallimi në praktikat e qytetarëve, ndërkohë që peizazhi duket i shkëputur nga e kaluara dhe e tashmja. Njerëzit jetojnë në thjeshtësinë e tyre të përditshme, ndërkohë peizazhi përherë e më shumë abstragon të tashmen e jetueshme.
Më pas u prezantua “Radio Tirana”, një film me regji të Aurora Birbilaj, Luna Salamon, Nebih Bushaj dhe Viktoriia Grivina që na paraqet një rrugëtim nëpër këtë institucion të rëndësishëm, godina e të cilit është lënë e braktisur. Ne ndjekim zërin e shkrimtarit Ardian Vehbiu, duke shpjeguar rëndësinë e Radio Tiranës si një urë komunikimi, si një aset i rëndësishëm mediatik dhe si një pikë referimi gjeografike për këdo që jetonte aty pranë. Ne shohim korridoret bosh të godinave të Radio Tiranës të shfaqura teksa përpiqemi të ndjejmë boshllëkun fizik përmes kujtimeve.
Pas serisë së filmave është "Selvie" me regji të Edmond Pergega, Elena Pérez Guembe, Ronald Qema dhe Saara Mildeberg që tregon historinë e Selvies dhe mënyrën e saj të përballimit në një qytet që ecën me ritme të cilat nuk përkapen lehtë. Emri i saj përkon me një vendndodhje të njohur në Tiranë, duke ndërthurur në këtë mënyrë kuptimin simbolik të pemës së selvisë, të mbajtjes zi dhe të shërimit shpirtërsi dhe historisë së Selvies që ashtu si pema, ende qëndron dhe reziston.
Kamza është një qytet i ri, por historia e saj mbështetet në pohimet dhe mohimet e vendeve/lagjeve aty pranë dhe regjisoret Büşra Dilaver, Diana Malaj, Elsa Paja, Holly Dale dhe Klodiana Millona eksplorojnë qytetin dhe rrethinat e tij përmes “The city that was not supposed to be in the map”.
“Would you call yourself a Kombinatas” me regji nga Agata Kochaniewicz, Dorina Pllumbi, Elina Alatalo dhe Sidorela Vatnikaj na sjell historinë e lagjes përmes kujtimeve dhe refleftimeve lidhur me ndikimin që ka komuniteti në Kombinat duke rrëfyer dinamikat e procedura të fshirjeve dhe mohimeve spaciale ku e vetmja gjë e mbetur duket se është kujtesa.
Në një bisedë me Dorina Pllumbin Ph.D. studiuese në Universitetin Teknologjik të Delftit dhe një nga regjisoret e kësaj përzgjedhjeje filmash, ajo tregon origjinën e këtij bashkëpunimi me Dokufest. Në kuadër të rrjetit evropian COST Action Writing Urban Places, Dorina Pllumbi, Diana Malaj (aktiviste në Grupi ATA) dhe Willie Vogel, arkitekt dhe studiues në Universitetin Teknologjik të Delftit dhe me bashkëpunimin e ngushtë të shumë aktivistëve vendas reflektuan dhe eksploruan temat e asaj çfarë që është qendrore dhe periferike në hapësirën urbane. Tirana dhe Kamza ishin në fokus ndërsa përpiqeshin të kuptonin kulturën, ndryshimet dhe pasojat e planifikimit urban.
Bashkëpunimi me Dokufest-in forcoi procesin teknik të realizimit të filmave dhe Eroll Bilibani së bashku me Blerta Zeqirin mentoruan zhvillimin e këtyrerrëfimeve.
Komunitetet luajnë një rol të madh në përcaktimin e rezistencës së hapësirave dhe Dorina Pllumbi thekson: “Është shumë e rëndësishme të rimendohet qyteti si një krijim kolektiv dhe jo një projekt i forcave që vijnë nga lart apo autoritetet që qëndrojnë afër tyre. Filmat tregojnë se si roli i komuniteteve po bëhet gjithnjë e më i tkurrur, duke përfshirë këtu proceset vendimarrëse që nuk përfshijnë banorët e komuniteteve. Pra, këta filma tregojnë se qytetin e prodhojnë edhe forca të tjera minore.”
Ne shohim komunitetet që shprehin problemet dhe vendasit që mbajnë pozicionin e tyre në qytet, por peizazhi duket se e mposht shpresën për ndryshim. Nga ana tjetër, ajo që është qendrore dhe periferike është makro-tema e eksploruar përmes idesë se çfarë përbën një qytet dhe cilët janë kufijtë e këtyre ndryshimeve urbane të vazhdueshme.
Ndiqni vegzën në vijim për më shumë informata: https://writingurbanplaces.eu/training-school-report-tirana-and-kamza-the-planned-the-unplanned-and-everything-in-between/
Nga: Blerina Kanxha