06/08/2023
“Ka vetëm një mëkat. Një të vetëm. Vjedhja. Çdo mëkat tjetër është vetëm një variant i vjedhjes. Kur i thua një gënjeshtër dikujt, ia vjedh të drejtën për ta njohur të vërtetën”, fragment i nënvizuar në faqet e librit ‘Gjuetari i Balonave’, shkruar prej shkrimtarit afgan Khaled Hosseini, e që e kisha lexuar e rilexuar vite më parë.
Në vijim, do ta kuptoni se pse ai paragraf me lidhej fund e krye me këtë film.
Në ditën e dytë të festivalit DokuFest po shfaqej “The Mother of All Lies”, film ky që mblodhi shumë të rinj kureshtar.
Asmae El Moudir regjisore e filmit kishte vendosur ta fuste vetën në rolin kryesor, njëkohësisht duke realizuar dokumentarin e parë të gjatë.
Një fotografi mund të jetë mollë sherri, thënë më qartë mund të jetë pikënisja e fillimit të një profesioni tjetër prej detektiveje. Fotografia e fëmijërisë trazoi të gjitha mendimet, kujtimet, emocionet e vajzës El Moudir. Gjithçka që kishte nga kujtimet e fëmijërisë ishte vetëm, ama vetëm një fotografi, gjë për të cilën as vet ajo nuk i besonte pretekstit që mund të ishte e pranishme aty.
Ajo bashkë më të atin realizuan një set të pikturave të vogla që rindërtuan përsëri vendlindjen e tyre në Casablanca. Në pamjet reale përdorej zëri i vajzës së rritur ku shpërfaqte një familje me plotë halle e mashtrime, me tentativa për të shtrirë autoritetin mbi njerëz më të rinj në moshë, e që më e vjetra prej anëtarëve të familjes mbante pozitë diktatoriale mbi personat e tjerë. Natyrisht bëhej fjalë për gjyshen e shtëpisë që e ngrehte vetën në piedestal.
Në këtë kontekst s’mund të injorohet libri ‘Letër Babait’ nga shkrimtari legjendar dhe i papërsëritshëm, Franz Kafka.
Kafka tregonte për shtypjen, nënçmimin dhe çdo fjalë tjetër që gjendet në fjalor të këtij lloji. Por gjithsesi le t’i kthehemi dokumentarit 96 minutësh.
Në setin më miniaturë shfrytëzohej zëri i El Moudir kur ishte në vitet e fëmijërisë, me tendencën për t’i dhënë kuptim qëllimit, zbërthimit të gënjeshtrave pa miratimin dhe dëshirën e familjes së saj, e konkretisht gjyshes.
El Moudir mbi të gjithë narracion e tregimit të deformuar, diktatorial, të bazuar në gënjeshtra të thëna dhe në të vërteta të heshtura, përshkruante gjyshen e saj si një njëri të zymtë, e shpeshherë të inatosur me botën dhe jetën. Një person që e urrenin të gjithë, pasi që dëshira e pakontestueshme ishte të kontrollonte gjithkënd dhe gjithçka, ishte mbikëqyrësja e lagjes ose thënë më mirë luante rolin e një sulltaneshe.
Regjisorja dhe vet protagonistja në rolin kryesor po dokumentonte të vërtetat e familjes, gënjeshtrat, vjedhjen e lumturisë me vite të tëra, si dhe dyshimin që arriti ta kthente në vërtetësi.
Në dokumentar përfshihen edhe protestat e viteve të ‘80-ta në lagjen e tyre. Motivi i protestës atë kohë lidhej me ngritjen e çmimeve të gjësendeve elementare për jetesë. Nga ky revoltim u hapën shumë varreza për ta, ndërsa ekzekutuesit mbanin pozita të larta.
Nga pyetjet që vajza bënte gjyshja e saj i referohej si gazetare. Por në fund të filmit El Moudir thotë që mos t’i tregonin gjyshes që s’është gazetare, por regjisore e këtij filmi.
Ky është fundi i filmit dhe besoj që tani është kuptuar paragrafi i shtuar në rreshtat hyrës.
Nga: Valona Hasani
Fotografia: Furkan Celik