06/08/2023

Në anonimitetin e varrezave masive, një ekip shkencëtarësh mjeko-ligjorë po kërkojnë gjurmët e fundit të përdorshme të ADN-së njerëzore. Qëllimi i tyre është t'u kthejnë viktimave emrat dhe dinjitetin e tyre. Ky proces është dokumentuar mirë në filmin e parë të metrazhit të gjatë të Jan Baumgartner, “The DNA of Dignity” (ADN-ja e dinjitetit).

Lufta Ballkanike e viteve nëntëdhjetë rezultoi në zhdukjen e mijëra njerëzve; eshtrat e tyre ndoshta janë zhdukur përgjithmonë. Të mbijetuarit dhe ata që kanë mbetur pas i varin shpresat e tyre te gërmimet dhe puna shkencore. Baumgartner shpalos punën e antropologëve dhe arkeologëve mjekoligjorë, por edhe pasigurinë, që ndjek përditshmërinë e familjeve në kërkim të eshtrave të më të dashurve të tyre.

 “The DNA of Dignity” u shfaq në DokuFest dhe u pasua nga një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh me regjisorin. Baumgartner shpjegoi se ky projekt zgjati katër vjet dhe synimi i tyre ishte t'i tregonin publikut të gjerë punën vërtet të rëndësishme të antropologëve dhe arkeologëve mjeko-ligjorë në kthimin e identitetit të personave të zhdukur.

Ai pranoi se kjo është çështje e ndjeshme dhe shpjegoi se shoqëria duhet të përballet me të, edhe pse është pjesë e errët e historisë. “Është temë shumë e ndjeshme. Unë nuk jam person që ka frikë të hyj në ato tema. Mendoj se duhet ta përballojmë, është pjesë e historisë sonë, është një pjesë shumë e trishtuar e historisë, por vazhdon çdo ditë, bile edhe tani. Ne duhet të përballemi me këto gjëra, por çështja kryesore është mënyra se si e trajtojmë këtë. Si i tregojmë ato kocka, a i tregojmë si diçka të tmerruese, diçka nga e cila kemi frikë, apo diçka që e lidhim me shpresën? Kjo është liria që kishim dhe ne u përpoqëm të tregonim se ato kocka janë shumë të rëndësishme”, tha Baumgartner.

Regjisori shpjegoi gjithashtu se në këtë projekt fokusin kryesor e kanë vënë në rëndësinë e gjetjes së eshtrave të personave të zhdukur pa asnjë akuzë apo gjykim.
“Me të vërtetë donim të largonim fokusin nga disa skena krimi, si dhe nuk donim të drejtonim gishtin nga autorët. Ne e dimë historinë dhe atë që ka ndodhur. Problemi është se në ditët e sotme është shumë e vështirë për të gjetur mbetje të reja, shanset po pakësohen, por keni akoma edhe një shans dhe ata janë autorët e krimeve sepse ata e dinë se çfarë ka ndodhur. Pra, vizioni ynë ishte nëse përpiqemi të bëjmë një film dhe nëse mund të bindim një person të vetëm të ndryshojë mendje dhe të tregojë në mënyrë anonime se ku janë viktimat, atëherë do të ishte një fitore për filmin. Vetëm në Bosnje janë ende shtatë mijë persona të zhdukur”.

“The DNA of Dignity” është pjesë e garës së sivjetme të Human Rights Dox.

Jan Baumgartner është regjisor autodidakt. Fillimisht është trajnuar për kujdesin shëndetësor si profesionist i infermierisë. Lufta dhe ndikimi i saj në shoqëri janë temat qendrore që ai trajton në veprat e tij.

Fotografia: Malda Lika