09/08/2023

Mbrëmja e kësaj të marte në DokuPlato iu rezervua kategorisë së filmave kombëtarë, të cilët kishin tërhequr jo pak vëmendjen e audiencës. Ndonëse moti nuk favorizonte të qëndruarin jashtë në një kinema të hapur , askush nga të pranishmit nuk zgjodhi të ankohej apo të lëvizte nga vendi teksa shfaqeshin 4 filmat e caktuar në program.

“Tea dhe Kejsi” ishte filmi i parë që u shfaq. Një produksion shqiptar i dy kineasteve të reja dhe premtuese si Kristina Rushiti dhe Jonida Koçi. Filmi duket si një paralelizim i jetës së dy kineasteve, pasi trajton historinë e dy personazheve të tij, dy vajzave Tea dhe Kejsi që teksa përpiqen të xhirojnë filmin e tyre të parë dokumentar përballen me një sërë peripecish, të cilat jo vetëm që nuk i trembin vajzat , por u mësojnë atyre shumë më shumë lidhur me rrugën e bukur të filmbërjes.

“E rëndësishme është përmbajtja dhe qëllimi që ke teksa zhvillon një film,” u shpreh Kristina Rushiti gjatë seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve që u mbajt pas shfaqjes së filmave.

Një tjetër film, bashkëprodhimi Gjermanisë dhe Shqipërisë ishte edhe “Mbi macet dhe vajzat” që la të shokuar jo pak audiencën me një nga skenat e tij. Adea, një vogëlushe e lidhur shumë më gjyshen e saj, përballë normave të sjelljes që i dikton nëna e saj. Një baba që vret një mace në sy të vogëlushes së tij, pa menduar lidhur me impaktin që ky veprim i llahtarshëm shkakton tek vogëlushja.

Për filmbërësen Elda Sorra, vrarja e maces ishte një ndër momentet kyçe të filmit dhe e pyetur nga audienca lidhur me rëndësinë e kësaj skene, Sorra e la përgjigjen të hapur.

Programi i shfaqjes së filmave vijoi me “Pashtriku”. Historia e dy motrave që pas 13 vitesh rikthehen në majën e shenjtë të Pashtrikut. Një përjetim i ndjerë dhe tejet personal i filmbërëses Ana Morina, që për 8 minuta mbajti të gozhduar audiencën.

Teksa filmi që shënoi fundin e mbrëmjes ishte “Mut me lule”. Që nga titulli ky produksion kishte shkaktuar një kureshtje të thelë tek audienca. 2 fshatra, 2 njerëz, 2 shtete të ndryshme që bashkohen në të njëjtën histori nga fëmijët e tyre. Një përjetim dy dimensional i një realiteti që fare mirë mund të kishte qenë i njëjti. Filmi i filmbërëses Mona Rizaj la një shije të mirë tek të pranishmit e kësaj të marte në platonë e DokuFest.

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Tughan Anit