08/08/2023

A ka një limit në të krijuar? Sa larg mund të shkojnë procesi krijues dhe sa ndikim ka ai në ambientin përreth? A mundet një filmbërës të shtyjë limitet e vendosura nga politika, dhe a mund ta ndikojë këtë të fundit?
Këto dhe të tjera çështje u diskutuan pasditen e kësaj të hëne në sesionin e tretë të DokuTalks. Nën moderimin e Dea Gjinovcit, paneli pati në përbërjen e tij Mateo Ybarra, Flaka Kokolli, Diana Malaj dhe Kate Stonehill. Veçantia e panelit të këtij DokuTalk qëndronte në specifikën e decilit të pranishëm dhe mënyrën e gjetur nga gjithsecili për të ndikuar në shoqërinë e udhëhequr nga politika.

Për filmbërësen Kate Stonehill, filmi i të cilës pati premierën vetëm pak orë përpara DokuTalk, indicia fillestare për të krijuar “Phantom Parrot” erdhi pasi asaj vetë i ishin vënë në dorë disa transkriptime bisedash të përgjuara, dhe me këto të fundit atë nuk mund ta zinte më vendi. Filmi trajton historinë e një aktivisti të të drejtave të njeriut, në luftë me islamofobinë që këtë herë duket se është e maskuar si lufta kundër terrorizmit. Personazhi kryesor i filmit përgjohet dhunshëm nga shteti amerikan dhe ai britanik pa kurrfarë arsyeje.
Të prekurit të një tematike kaq delikate në një kohë si kjo në të cilën jetojmë për filmbërësen nuk kishte qenë aspak e lehtë, mirëpo sfidat mesa duket qenkan për artistët më shumë se për askënd tjetër.

Teksa të njëjtin qëndrim ndau edhe Mateo Ybarra duke bërë kështu një paralelizim me filmin e tij “Visions du Réel” në të cilin ai tregon historinë e tij personale, duke përdorur materialet që njerëzit e tjerë kanë hedhur në internet.

Shtyrja e barrierave sociale duket se kishte qenë një mision edhe për filmbërësen, njëherazi animatoren Flaka Kokolli, që ndërtoi një akademi të animimit vetëm e vetëm për të plotësuar atë që shteti në të cilin ajo dhe të rinj si ajo jetojnë nuk kishte mundur ta bënte ende.

Një pikë tejet interesantë e këtij DokuTalk ishte edhe diskutimi i aktivistes së ATA Diana Malaj, e cila me shumë pasion rrëfeu pak nga ngritja e grupit të aktivistëve në një qytet si Kamza, me qëllim rimëkëmbjen dhe krijimin e një identiteti për vendin ku ata vetë dhe të tjerë qytetarë shqiptarë jetojnë.

Nga i gjithë diskutimi u duk sikur ishte fare e lehtë të ndryshosh kontekste e të shtysh barrierat e vendosura nga të tjerët edhe nga politika, kur ke vullnetin për ta bërë botën ku jeton një vend më të mirë. Çfarë të pengon? Qielli është limiti!

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Agon Dana