12/08/2023

 Sheets

Një familje shqiptare përballet me dy zgjedhje kontradiktore që i çon personazhet e filmit në një grindje të vazhdueshme. Të vendoset ana njerëzore në rend të parë apo ligji?

Dilema e tyre përfshin të gjithë pjesëtarët e familjes kur para shtëpisë së tyre shfaqet një familje emigrantësh. Konfliktet dhe diskutimet e bëra brenda katër mureve të shtëpisë arrijnë deri të presioni që i bën nëna djalit për ta informuar njësitin policor.

Temperamenti  dhe presioni vërehet të zonja e shtëpisë kur për të dytën herë tenton ta bëjë telefonatën, ku pas tentimit të dytë, e sheh nipin e saj që luan bashkë me vajzën e dy prindërve që kërkonin strehim.

Regjisorja Evi Gjoni para shikuesve tregoi për paralelizimin e dy situatave në këtë film. “Doja të përfshija dy gjëra të rëndësishme që po ndodhnin në ato momente që ishte frika nga të panjohurit dhe lëvizja emigrantëve që ka qenë gjithmonë e vazhdueshme, kjo ndrydhje që u bëhet, qoftë edhe nga shtetet e fuqishme. U munduam që ta gjenim një formë që t’i përmbledhim të dyja, për më tepër që në Shqipëri rrodhën ato gjëra, deri njerëzit lëviznin lirshëm nëpër botë”.

Koha kur ajo ishte inspiruar për ta shkruar këtë skenar filmi bashkë edhe me dy persona të tjerë ishte koha e pandemisë ku në atë kohë ligjet ishin ende më të fuqishme.

Prishtinë 2002

Muret e shtëpive gjysmë të rrënuara ende mbajnë gjurmët e luftës së fundit në Kosovë, njëra prej tyre u shfaqë në filmin “Prishtinë 2002”, por tregimi kryesor nuk lidhet me mbishkrimet, por me mendësinë e fëmijëve jo shumë vjet pasluftës.

Dy adoleshente, dy shoqe me mendime të ndryshme shpalosin historitë e tyre duke bërë pjesë edhe persona imagjinar në mes, e kjo shihet si problem për njërën prej tyre.

Leti një vajzë ku në atë kohë nuk i bën përshtypje të duket ‘cool’, ndërsa Dona, një personazh tjetër që për të është rëndësishme të jesh ‘in’ më kohën.

Trëndelina Halili, regjisorja e filmit ‘Prishtinë 2002’ e kthen në kohë të gjithë brezin e saj. Ajo bëri të ditur se pse ishte zgjedhur ky vit në titullin e filmit dhe ku ishte ideja e gjithë këtij tregimi.

“Filmi është si një kujtesë për këtë arsye është i realizuar jo shumë kronologjikisht, sikur një lloj storie që kthehesh në kohë edhe tregon ku ka ndodh, filmi është iniciuar si ide duke diskutuar për manifestimin e mënyrës se si fëmijët janë njëfarë mjeti shumë i fuqishëm i bartjes së sjelljeve për brezat e ardhshëm”. 

Për t’iu kthyer mirë memories Halili tregon disa elemente që edhe atë vetë e kishin përcjell në kohën e pasluftës.

“Janë grafitet ku ato shkruajnë emrat e tyre, por aty janë shenjat e serbëve, pasi bota e tyre është krijuar në një ambient shumë të ashpër. Ka shtëpi të braktisura, ka grafiti, vetura të Bashkimit Evropian, për shkak të sigurisë e të tjera”.
 

Hana e Re

Filmi 9 minutash prezanton udhëtimin e katër shoqeve ku në veturën e tyre dëgjohej në sfond kënga “Moj Hatixhe n’shami t’kuqe”.

Jo rastësisht filloi më këtë këngë, sepse analizimi i tekstit të saj tregon për robërinë e grave gjatë viteve të ‘70-ta.

Storia e filmit “Hana e Re” dhe kënga paraqesin kuptimin e njëjtë të situatave të ndryshme. Tematika e filmit lidhej me abortin dhe paragjykimet shoqërore. Gjithçka nis me dilemën në mes studimeve në Amerikë apo vendosja e emrit ‘Nënë’.

Regjisorja e filmit, Jehona Berisha tregoi që ky film ishte i bazuar në ngjarje të vërtetë. “Unë e kam pasur një situatë të ngjashme me njërën prej shoqeve të mia dhe prej aty kam filluar të shkruajë skenarin. Shtatzënia e saj ka qenë jo aq e dëshiruar dhe ajo njëjtë si Hana nuk dinte se çfarë duhet të bëjë. Skena mbyllet me Hanën në det, sepse deti është i pafund dhe në fund të fundit, Hana do të jetë prapë vetëm në detin e saj të madh, ndërsa titulli vjen si një simbol për një jetë të re”.

I kemi varros baballarët

Filmi ka tre personazhe. Gjyshin dhe dy nipat e tij. Gjyshi ka humbur dy djemtë në luftën e fundit në Kosovë. Në pamundësi për t’i paguar dy varre për secilin prej tyre, gjyshi i Dardanit dhe Ujkanit detyrohet t’i fus dy djemtë e tij në të njëjtin varr. 

Dardani dhe Ujkani në mes hapësirës ku ishin varrezat përleshen, pas këtij konflikti Ujkani ia jep pasaportën Dardanit, ky i fundit me pasaportë në dorë largohet nga vendi i ngjarjes. Regjisori Hekuran Isufi thekson që filmi është pak a shumë ngjarja e tij e personalizuar.

Filmi i Isufit prek disa çështje aktuale si largimi, migrimi, paslufta dhe lidhjet mes brezave.

Nga: Valona Hasani

Fotografia: Agon Dana