10/08/2023

Dokumentari i regjisorëve Nick Read dhe Ayse Toprak trajton fenomenin e Femicidit. Filmi zbulon realitetin e errët të dhunës sistematike patriarkale në Turqi.

Në sallën e DokuKino po vërehej një interesim i madh për filmin “Multu” i kategorisë së drejtave të njeriut – Human Rights Dox.

Abuzim, dhunim, vrasje janë termat të përditshëm që dëgjohen në institucionet e drejtësisë, aty ku peshorja është vetëm formalisht si vulë, e në këto raste as që duhet të ekzistojë fjala ‘mëshirë’.

Zëri bindës i Mutlus u bë shpresëdhënës për qindra gra të tjera që në shenjë revoltimi ndaj një sistemi shtypës e të kalbur dolën në protesta për të treguar rezistencë.
Historia e kësaj gruaje nisë me biografinë e saj me emrin e vendosur nga prindërit, që ironikisht në shqip përkthehej “e lumtur”, por që jeta e theu mizorisht duke ia dëshmuar që gratë dhunohen dhe vriten barbarisht.

Ëndrra e saj për t’u bërë këngëtare, nuk u shua edhe pasi humbi zërin e saj të bukur edhe disa pjesë të trupit që me vështirësi i lëvizte. Mutlu u plagos nga një burrë që e kërkonte atë me çdo kusht. Një pjesë të plumbit, Mutlu ende e mbanë në kokë, andaj edhe quhet gruaja e hekurt, që më pas u shndërrua në një grua të artë kur nisi luftën për motrën e saj të vrarë nga femicidi, bashkë me qindra të tjera që ecnin rrugëve të Turqisë në kërkim të drejtësisë.

Motra e Mutlus u vra nga një burrë, dy vite pasi ajo vet ishte në koma për shkak të dhunës së një burri. Mutlu humbi motrën, humbi zërin që po përpiqej ta rikthente vazhdimisht, humbi trupin që po tentonte edhe atë ta rimerrte, por ajo, nuk e humbi shpresën. 

Pas tragjedisë që ndodhi me atë vet dhe motrën e saj ajo vazhdonte të dilte në protesta, vazhdonte të kërkonte drejtësi, derisa vrasësi që i kishte futur duart në gjak mori burgim të përjetshëm. Personi që plagosi Mutlun mori vetëm 15 vjet burg.

”Në sytë e vrasësit më dukej që po e shihja motrën time, ndoshta ngase ai ishte personi i fundit që e pa, pasi mori dënimin e merituar, po më dukej sikur e lashë motrën time në gjykatë, po më dukej që e lashë vetëm” ishin fjalët e Mutlus pasi që u dha vendimin për vrasësin. 

Në minutat e fundit të filmit, një vajzë në audiencë ishte në lot. Një tjetër person, në rreshtin e dytë ku po shfaqej filmi po e tundte kokën sikur të thoshte se si është e mundur kjo. Kur dritat u ndezën u pa se publiku ishte i prekur dhe i përlotur.

Të dhënat që paraqiten në film tregojnë se nga viti 2015 mbi 2,500 gra janë vrarë në incidentet e raportuara të femicidit në Turqi. Ndërsa OKB-ja vlerëson se në botë për çdo vit rreth 470,000 gra vriten në incidentet e raportuara të femicidit.

Nga: Valona Hasani

Fotografia: Furkan Celik