05/08/2023

Rruga po më dukej e shkurt ndërkohë që si për ironi po shkoja ta shikoja një film të gjatë, me 120 minuta. Ishte hera e parë që do të ulesha në një ulëse shumëngjyrëshe mbi ujë dhe do të shikoja në ekran të madh.

Kino Lumi i vendosur në një pjesë të veçantë të qytetit, qëndronte krenar mbi Lumbardhin e Prizrenit. Nga larg dukej si shesh xhirimi, por nga afër ishte shumë më shumë se aq.

Biletat duhet të skanoheshin. Të rinjtë vullnetarë po prisnin secilin mysafir me dashamirësi. Për pak kohë Kino Lumi u mbush plotë. Gjithçka filloi në orën 20:30, ashtu siç ishte paralajmëruar.

“My name is Alfred Hitchcock” po shfaqej në ekranin disa metërsh. Dokumentari dedikuar karrierës së filmbërësit legjendar, Alfred Hitchock e ringjalli zërin e tij të imagjinuar një shekull pas krijimit të filmit  të tij të parë. Filmi për të rreshtohej në gjashtë tematika që përbëhej nga arratisja, dëshira, vetmia, koha, përmbushja dhe lartësia. 
Për secilën çështje regjisori ndante sekuenca të filmave të Hitchock duke ndërthurur edhe situatat dhe emocionet. Hilet dhe dredhitë e Hitchock që përdorte në filmat e tij u shpërfaqen gradualisht në një dokumentar dy orësh. Sipas Hitchock: “Kinemaja është më e mirë në vetmi, një kamerë, një person, një kornizë, ti dhe errësira, pra mund ta ndjesh vetëm me emocionet e tua, pa përfshirë emocionet e të tjerëve”.

Përqendrimi, emocionet dhe mendja jonë, lidhej natyrshëm me ndjenjat e të tjerëve. Uji poshtë nesh po vazhdonte rrjedhën nëpër shtratin e tij, e neve ndonjëherë na rrëmbenin tingujt e ujit që e bënin edhe më të përsosur të gjithë këtë film të metrazhit të gjatë.

Kalimtarët që ecnin përgjatë ambientit ku po shikohej filmi po e kthenin kokën pas për të shikuar pamje të magjishme dhe njëkohësisht të paharrueshme. Nuk mund të mos e them, absolutisht që jo, nuk e di për sytë e të tjerëve, por pash një pemë në formë të zemrës që ishte disa centimetra nga ekrani kur po shfaqej filmi. Ishte madhështor se si stolisej edhe me ngjyra të filmit. Filmi po përfundonte, e ndjeja që duhej të rrija. Por pas filmit rruga do të bëhej e gjatë, e filmi do të mbetej i shkurt në mendjen time, jo të Inteligjencës Artificiale.

Nga: Valona Hasani

Fotografia: Furkan Celik