06/08/2023

Një qytet i ngecur, duke u përpjekur të dalë nga rrënimi që qëndron si guackë e bashkë me të vjen dëshira për ta rikthyer qytetin tek banorët: një djalë i ri na rrëfen në mënyrë naive gjatë ditës së tij në Valparaiso, ndërkohë që ka një botë të egër jashtë që pret që ai të rritet, një botë e mbushur nga fantazmat e së shkuarës; një udhëtim i nxituar përmes syve të dikujt që gradualisht po humbet shikimin; një sërë fotografish që vështirë se mund të lidhen duke i lutur shikuesit të imagjinojë veten si një oqean.

Këto ishin rrugëtimet që shikuesit patën mundësinë të hidhnin një vështrim në ekranin e Kino Lumbardhit dje, dhe ky koleksion nën titullin Eyes Wide Open është pjesë e mostrës së filmave të zhvilluar në studion kombëtare të arteve bashkëkohore të Le Fresnoy në Francë.

Le Fresnoy, aktiv që nga viti 1997, është një hapësirë për të zhvilluar praktika dhe për të zgjeruar nocionet se sa zhanre artistike mund të ndërthuren. Të përkushtuar ndaj avancimit të shprehjes artistike, shumë studentë pasuniversitarë kanë mundësinë të punojnë dhe të përsosin punën e tyre duke i besuar qasjes eksperimentale ku praktikat personale vlerësohen më së shumti.

Në DokuFest, të shtunën ata shfaqën katër filma, por siç u tha në prezantimin e kësaj përzgjedhjeje, shumë prej jush mund të dallojnë filma të ndikuar apo të punuar në Le Fresnoy gjatë kësaj jave në shfaqje të ndryshme në kinematë e Prizrenit.

Duke filluar me“The mutability of all things and the possibility of changing some” nga Anna Marziano, ne fton të njohim nga afër historinë e qytetit të Abruzit në Itali dhe pasojat që e kanë kapluar pas tërmetit në vitin 2009. Filmi paraqet një seri leximesh të autorëve të vjetër klasikë në mjedise moderne dhe të rëndomta si një reflektim se si mund ta përdorim atë që prodhohet si njohuri, si një mjet arkivor në shoqëritë tona moderne, apo si mund ta transformojmë e përshtasim këtë njohuri. Një qasje mjaft e dhimbshme dhe e përzemërt, një letër dashurie për një qytet që flet mes rezistencës dhe me dëshirë për të përdorur atë që tashmë është krijuar për të pritur një të ardhme të re.

Duke vijuar me “What Drives Us” me regji të Anaïs-Tohé Commaret, ndjekim Brancon që jeton në Valparaiso teksa na tregon përditshmërinë e tij, me një buzëqeshje shpresëdhënëse dhe një gëzim të pakrahasueshëm për të gjetur humor në gjithçka që bën. Ne e ndjekim atë përmes kamerës së tij, por edhe çka e rrethon, kur ai na njeh me prindërit, miqtë dhe qytetin që shfaqet në një përditshmëri trishtuese, misterioze të mbjellë me kujtimet e një të kaluare të ashpër politike.

Pas këtij rrëfimi imponues, ne ndjekim "Be my eyes" me regji të Lea Collect, e lidhemi me Giles i cili vuan nga një sëmundje e syrit: glaukoma. Kjo përvojë unike dhe e frikshme na lejon të reflektojmë mbi aftësitë që fitojmë dhe humbasim përmes këtij procesi. Mund të ndiejmë se shikimi I karakterit po shuhet, por si mund t'i kuptojmë nuancat e kësaj bote ndërkohë që pajtohemi me një fund të parashikueshëm? Ngadalë, por plot siguri gjendet një arratisje nga dëshpërimi e dhe ky film jep pamje kurioziteti se çfarë mund të bëhemi dhe si mund t'i përshtatemi humbjes në përgjithësi.

Duke u mbyllur me “One Thousand and One Attempts to be an Ocean” me regji të Wang Yuyan, publiku pati mundësinë të përjetonte një qasje eksperimentale ndaj imazheve dhe pjesëve të tingujve të ndarë, të bashkuar dhe të rigrupuar në mënyra gjithnjë e më të ndryshme. Pra, duke zgjeruar kësisoj kuptimin e vazhdimësisë filmike dhe mendimi i beftë se qeniet njerëzore janë kthyer vetëm si marrës informacioni duke ngulmuar ironikisht se kjo gjë nuk mund të jetë më kështu. Çfarë na paraqitet është çfarë njerëzit perceptojnë si rehati të ngulitur para ekranit mes përmbajtjeve të përsëritura. Në vend të kësaj, ne mund të bëhemi një valë e atij oqeani që kërkon gjithmonë e më shumë të rënë, të fundmen, uniken.

Nga: Blerina Kanxha

Fotografia: Malda Lika