11/08/2023
Filmi që u realizua për 3 vite me radhë erdhi në DokuFest, me shfaqjet të martën dhe të enjten, për të shpalosur një copëz jete të disa të rinjve që çdo ditë nisen me idenë e të qenit të pasur.
Një adoleshent bashkë me shumë të rinj tjerë detyrohen ta zgjedhin një jetë ndryshe nga ne që e projektojmë në shumë vende, qoftë ajo afrikane apo kudo në botë. Këta të rinj do të gjurmojnë çdo ditë në thellësi qindra metra nën tokë për të gjetur një copëz shprese, një copëz ari, për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme.
Filmi dokumentar ‘A Golden Life’ dyzon botën e kinematografisë me realen e dhimbshme të rinjve, që i hyjnë një rruge të vështirë me parimin ose gjithçka ose asgjë. Në përpjekje për të gjurmuar në thellësitë e nëntokës për të zbuluar një jetë të re për të ardhmen, këta të rinj fuqishëm mbajnë shpatullat e njëri-tjetrit duke qenë mbështetje e përhershme edhe në dështime.
I pyetur pas filmit pse të gjithë pjesëmarrësit në film janë aq të natyrshëm para kamerës, regjisori Boubacar Sangaré, rrëfen se sa kohë ka kaluar me këta njerëz dhe se prania e kameramanit (vetëm një kameraman realizon gjithë filmin) bëhet aq e pa vërejtshme sa qe personazhet nuk e kanë problem shfaqjen e jetës së përditshme.
Zhurma, pluhuri, djerset e personazheve pjesëmarrëse, ushqimi në vende të papastra, jeta buzë apokaliptike e shumë elemente tjera që kanë fuqinë të mbërrijnë tek publiku, zbuten në një formë a tjetrën me pamjet e rralla të kamerës që kap buzëqeshjet e herë pas hershme, perëndimin e diellit dhe pamjet e natës së qetë.
Ëndrrat e çdo pjesëmarrësi në dokumentar janë të qarta, duan një jetë më të mirë, një jetë ku nuk janë të detyruar të punojnë aq shumë për të fituar aq pak.
Edhe pas 3 vitesh gjurmimesh në kërkim të arit, adoleshenti arrin të shpërblehet shumë pak, ai nuk do ta gjej asnjëherë arin për të cilin shpreson dhe siç thotë edhe ai vet nuk do të ketë aq shumë para edhe pse paraja asnjëherë nuk është e mjaftueshme.
Jeta e zhvilluar aty dhe detajet që kapen tek të rinjtë që sakrifikojnë shkollën dhe dëshirat e tyre për të mbërritur diçka, çkado, na fut në një paralele dhimbjeje, mundimi bashkë me ta.
Personazhi kyç i filmit dokumentar vërehet ndër vite se si ndryshon pikëpamje, nga një i ri me plot vullnet e dëshirë shndërrohet në një të ri i cili fillon t’i bëj pyetje vetes nëse e gjitha kjo ja vlen, nëse e gjithë kjo ka një çmim.
Krejt në fund në skenën përmbyllëse, loja e katër prej personazheve (njëri prej tyre vet regjisori) manifeston shpresën si të vetmin karrem për t’u arratisur. Arratisja me e madhe nuk ndodh në atë që po kërkohet, as në tunelet e thella të gërmimeve, por shpresa është aty në fytyrat e tyre, në sytë e tyre, në të nesërmen që nuk dihet.
Nga: Valona Hasani
Photo: Malda Lika