07/08/2023

Portretizimi i vetes nga një filmbërës mund të merret me mend se nuk është aspak diçka që haset në mënyrë të rëndomtë. Vetë filmbërësit janë sytë e audiencës e janë aty për t’i dhuruar asaj atë që nuk mund ajo vetë ta dëshmojë. Po nëse një filmbërësi i duhet të dëshmojë vetveten tek audienca?

Në ditët që jetojmë, çdo ditë në mënyrë të pavullnetshme ose të vullnetshme çdokush portretizon veten tek të tjerët. Që kur zgjohet në mëngjes dhe ecën në rrugë e deri kur poston një selfie në mediat sociale, gjithmonë po dokumenton veten tek ata që e shohin. Nëse do të flitej për këtë tematikë gjerë e gjatë, natyrisht do të duhej të prekeshin një sërë tezash filozofike, por DokuTalks pasditen e të dielës ja doli të sillte tek audienca një tjetër perspektivë atë të tre filmbërësve të cilët në filmat e tyre u është dashur të dokumentojnë veten.

Lidhur e gjithë kjo me teknologjinë panelistët Viera Čákanyová, Armel Hostiou dhe Kit Vincent nën moderimin e Dea Gjinovcit ndanë eksperiencat e tyre lidhur me këtë temë.

Filmbërësja Viera Čákanyová në diskutimin e saj iu referua filmit të saj “Notes from Eremocene” një projekt që hedh dritë mbi potencialin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj. E bindur se portretizimi I vetvetes nuk ishte aspak i lehtë për të ajo u shpreh se nuk do të zgjidhte më të ishte një personazh në filmin e saj.

Të njëjtën pikëpamje ndau edhe Kit Vincent ndonëse për të pjesëmarrja në filmin “Red Herring” jo vetëm si producent dhe filmbërës por edhe si personazh e kishte ndihmuar jo vetëm për të sjellë një produkt final, por edhe për të krijuar një raport më të ngushtë me njerëzit e afërt të cilët e kishin njohur më mirë përmes këtij filmi.

Teksa për Armel Hostiou, filmbërësin e “The other profile” të dokumentuarit e vetes nuk ishte vetëm një zgjedhje, por një nevojë për të sjellë një krijim sa më të vërtetë dhe të ndjerë.

DokuTalk i mbajtur këtë të dielë pati pjesëmarrje të gëzueshme shoqëruar nga një interaktivitet që rriti dinamikën e këtij diskutimi.

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha