12/08/2023

Asnjë natë e ngjashme me tjetrën, asnjëherë diçka që e keni parë. Kjo fjali mendojmë se i qëndron më së miri netëve të gjata të DokuNights të cilat pasqyrojnë larmishmërinë dhe kompleksitetin e mendjeve të bukura që i kanë kuruar.

Kjo e premte ishte një tjetër natë në të cilën Andrra Stage u mbush nga fytyrat e bukura të atyre që iu bashkuan festës me HERRENSAUNA SHOWCASE +010010*.

Në fakt artisti nuk ishte pa dyshim i vetmi i cili e mbajti natën gjallë, bashkë me të në skenën e ëndrrave u ngjitën gjithashtu CEM, JASS, MCMLXXXV, DJ SALIVA duke i dhënë natës përmasat e një festivali. Është e lehtë fare e lehtë të dokumentohet gëzimi i atyre që ishin të pranishëm e që kërcyen me trup e zemër nën tingujt vibrues të elektronikës. Fytyrat e tyre janë në fotot dhe videot e ekipit të jashtëzakonshëm të atyre të cilët sakrifikojnë pak fare nga kënaqësia e tyre, për të dokumentuar përmes aparatit dhe kamerës atë që po ndodh.

Kushdo që ishte i pranishëm e ka ende të gjallë përjetimin e atyre momenteve, ku trupat që kërcejnë plotësojnë simfoninë e asaj që quhet argëtim. E çfarë është një njeri nëse nuk argëtohet? Një copë druri.

Teksa për fat të keq këtë të shtunë pritet të mbahet edhe nata e fundit e DokuNights. DOPPLEREFFEKT, REPTANT, ISABELLA, GENC ELEZAJ do të sigurohen të mbajnë të takuar këdo që do të marrë rrugën për tek “Andrra”. Për t’i lënë kujtdo, shijen e mirë, dashurinë për të bukurën dhe gjallërinë. Për artistët, për njëri- tjetrin, për veten, për jetën. Deri vitin tjetër, kur sërish të shihemi në Prizren.

E megjithatë kemi ende sonte, një natë për të festuar çdo gjë, të vogël e të madhe, çdo gjë që kemi, me apo pa arsye.

Nga: Ana Haxhimali

Photo: Esad Duraki