05/08/2023

DokuTech të shtunën vazhdoi temën që DokuFest e nisi në hapjen madhështore. Çështja që po e preokupon njerëzimin aktualisht pra Inteligjenca Artificiale u shqyrtua nga profesionistët e fushës. Si pjesë e aktivitete të DokuTech në DokuFest, gjatë ditës në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve u diskutua për IA dhe për ChatGPT.

Me temën “Ta sjellim të ardhmen më afër, së bashku”, edicioni i 10-të i DokuTech pati fokus ndërthurjen e artit dhe teknologjisë.

Fillimisht, në sesionin informues u paraqit profesori nga Universiteti i Arizonës, Pavan Turaga. Ai foli për potencialin transformues që IA ka për industrinë krijuese, sikurse edhe për sfidat dhe mundësitë e pakufishme që ajo paraqet për krijimtarinë njerëzore. Profesori Turaga gjatë prezantimit në mënyrë vizuale tregonte për kuptimin e fenomeneve themelore të mediave të ndryshme, duke përfshirë imazhe, video dhe fotografi.

Tutje nën moderimin e Teuta Sahatqisë, ambasadore e organizatës Women in Tech Kosovo u hap diskutimi mbi temën “Përshpejtimi i përfaqësimit të grave në botën e Inteligjencës Artificiale". Për të folur rreth kësaj teme të ftuar ishin 4 panelistë  që e përbënin një ekip fantastik, duke filluar nga profesori Pavan Turaga, shefja e Qendrës së Ekspertizës së Ardhshme dhe Drejtoreshë e Grave në Tech Holandë, Lieke Lamb, profesori i Universitetit të Prishtinës, Arbnor Pajaziti dhe shefja e Seksionit për Mbrojtje Kibernetike nga Ministria e Mbrojtjes, Hafize Bajrami.

Ky panel u përqendrua në pasqyrimin e statusit aktual të përfaqësimit të grave në industrinë e Inteligjencës Artificiale, identifikimin e sfidave me të cilat ballafaqohen ato dhe përcaktimin e nevojës për ndërhyrje për të siguruar barazi, diversitet dhe drejtësi.

Profesori i Robotikës në Universitetin e Prishtinës, Arbnor Pajaziti vuri në pah mundësitë që ofron Inteligjenca Artificiale, por edhe për mënyrën e përdorimit efikas. “Mendoj që më shumë duhet të fokusohemi në atë se çfarë mund të bëjë Inteligjenca Artificiale në të ardhmen, por po ashtu edhe të kemi kujdes se si e përdorim atë”.

Aktivitetet e DokuTech vijojnë edhe më 6 gusht në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve.

Nga: Valona Hasani

Fotografia: Kushtrim Haxha