13/08/2023

Vendi ynë i preferuar në mesnatë gjatë DokuFestit, Andrra Stage, pa asnjë dyshim, di të shndërrohet në një shtëpi për energji të reja për netët e gjata dhe veç muzikë. Programi muzikor i DokuFestit ka qenë gjithmonë një pikë lidhëse për të gjithë ata që duan të përjetojnë argëtim në këtë qytet duke bërë vend këdo, me gjithë magjinë e tij. DokuNights i fundit për këtë vit mirëpriti performues fenomenale nga vendi e bota duke qenë kësisoj një deklaratë e fortë se liria dhe krijimtaria e gjejnë shtëpinë e tyre në Prizren dhe ne vetëm duhet të kërcejmë ndërsa luhet muzikë.

Kemi kërcyer ndërsa Dopplereffekt u ngjit në skenë duke përcjellë ritme që shkrihen hipnotikisht  me shkrirjen e mistershme të ritmeve, si një udhë që hapet për ata që duan të zbulojnë tjetrin dhe veten në forma të reja. Ishte mes këtij sfondi eterik që Dopplereffekt ndezi atmosferën me fuqinë e tyre magjepsëse në një natë që e prisnim kaq gjatë të ndodhte.
Kemi kërcyer gjatë setit mahnitës të Genc Elezajt, duke i ftuar të gjithë gjithnjë e më pranë skenës. Mes muzikës ai ndërthur zhanre të tjera dhe praktika të ndryshme artistike dhe krijon një performancë bindëse - një moment filmik - një histori e të njeriut që udhëhiqet nga dritat e skenës.

Nga Barcelona në Prizren, ISAbella solli të gjitha nuancat e një nate të guximshme dhe të fuqishme përmes performancës së saj dhe ne nuk mund të kërkonim më shumë.

Reptant doli në skenë me një prani elektrizuese ndërsa turma ishte e zhytur në përzierjen e tij të mirëkuruar të acidit, elektros dhe teknos.
Fryma e këtij qyteti është gdhendur në netët që kalojmë duke pritur diellin të lindë. Nuk ka asgjë më të përshpirtshme se të jetuarit në një natë që askush nuk do të mbarojë.

Ne pamë njerëz duke u rilidhur, përqafuar, puthur dhe kërcyer me njëri-tjetrin, duke i hapur udhë një feste që përmbyll këtë edicion.

DokuNights janë një deklaratë e hapur e dashurisë për Prizrenin, një qytet që na bën të mos dëshirojmë kurrë të largohemi. Ka kaq pak kohë dhe kaq shumë për të bërë, ndërsa dashuria na pret plot durim në pistën e vallëzimit.

Faleminderit të gjithëve që iu bashkuan DokuNights dhe mezi presim të shohim se çfarë na pret e ardhmja.

Nga: Blerina Kanxha

Fotografia: Kushtrim Haxha