04/08/2023

Edicioni i 22-të i DokuFest është gati për të filluar. Dhe do të jetë një edicion fantastik. Garanci për këtë është programi përplot me filma, muzikë, diskutime dhe aktivitete tjera, sikurse edhe entuziazmi i gjithë stafit dhe vullnetarëve. Ata tashmë janë gati për të mirëpritur mysafirët nga industria e filmit si dhe audiencën besnike nga të gjitha anët. Përgatitjet finale janë bërë në kinematë, prandaj dhe tani gjithçka është gati edhe për një udhëtim të jashtëzakonshëm kulturor, i cili do të ofrojë përvoja të reja dhe të paharrueshme për secilin.

Marrëdhënia ndërmjet njeriut dhe Inteligjencës Artificiale është tema qendrore në këtë edicion të DokuFestit. 
Sipas Veton Nurkollarit, drejtorit artistik, festivali sjellë një tjetër program të jashtëzakonshëm të filmave që do të shqyrtojnë shumë gjëra dhe marrëdhënie, prej njerëzve te natyra dhe deri te teknologjia.  
"Këtë vit do t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë Inteligjencës Artificiale duke filluar nga tema dhe identiteti vizual, pastaj filmat dhe diskutimet, për të eksploruar se ku është shoqëria në raport me këto zhvillimet e fundit", tha Nurkollari.

Filmi ikonik "2001: A Space Odyssey" nga regjisori legjendar Stanley Kubrick do ta hapë festivalin më 4 gusht, në Lumbardhi Bahçe, menjëherë pas ceremonisë së hapjes. Programi i të premtes mbrëma përfshin shfaqje të filmave edhe në DokuKino, DokuKino Plato, Sonar Cinema, Lunar Cinema dhe Kino Lumi (orarin mund ta gjeni në dokufest.com). Ndeja muzikore është në Andrra Stage ku DokuNights nis me Peaches/Steffi/Ivana Dragsic.

Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e DokuFestit sqaron se programi kualitativ i filmave shoqërohet me shumë aktivitete që do të plotësojnë kërshërinë dhe pritjet e të gjithë vizitorëve të festivalit. “Do të kemi panel diskutime për të shqyrtuar temat aktuale, duke filluar nga të drejtat e njeriut por gjithashtu edhe çështjet që ndërlidhen me Inteligjencën Artificiale. Pastaj kemi performansat muzikore ose DokuNights nga nata e parë e deri në natën e mbylljes së festivalit. Por gjithashtu do të kemi edhe program për fëmijët me filma, punëtori dhe joga" tha Llulla. Ajo pret që një numër i madh i mysafirëve dhe vizitorëve të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm, duke rikthyer kështu atmosferën e gjallë, tipike për Prizrenin në këtë periudhë të vitit.

Gjithashtu ka një interesim gjithnjë në rritje të gazetarëve për të pasqyruar edicionin e 22-të të DokuFest. Zyra për Marrëdhënie me Mediat deri më tani ka akredituar 75 gazetarë dhe pret një numër edhe më të madh në ditët në vijim. Ndërkohë, Veron Tara, koordinator i Departamentit të Vullnetarëve tha se 130 të rinj vullnetarë u regjistruan për të mbështetur aktivitetet e festivalit dhe për të pasur përvojë të drejtpërdrejtë me filmbërësit.

DokuFest është festivali më i madh i filmit në Kosovë. Ai përfshin nëntë ditë emocionuese të mbushura me ngjarje magjepsëse, duke përfshirë ekspozita fotografike dokumentare, debate tërheqëse, master klasa informative dhe performanca të gjalla muzikore. DokuFest ofron një përvojë të larmishme dhe gjithëpërfshirëse, duke festuar artin e filmbërjes, duke nxitur dialogun dhe vlerësimin për artet kinematografike në rajon.

Fotografia: Furkan Celik