16/08/2023
Herën e fundit që e vizitova Prizrenin para DokuFestit, unë dhe miqtë e mi u ngjitëm në Kalanë e Prizrenit dhe pamë peizazhin mitik krejt qashtër. Ndërsa mbi shpatulla të vargmaleve qëndronte bora ne gërmonim në të shkruarën, e natyrisht, si kanë qenë edicionet e kaluara të DokuFestit.
Sa herë kemi takuar miq të rinj e të vjetër në një dritë të re. Vargmalet janë të mbuluara me borë dhe ajo që do të diskutonim do të ishte se si do ta kalonim kohën këtu gjatë DokuFestit.
Çfarë filmash kemi parë, apo pyetjet që na kanë shkrirë së qeshuri në evente. Por gjithmonë, për një çast vetmie kemi patur një strehë në kinema që na rrëfen për histori që njohim e nuk njohim e gjithçka në midis.
Qoftë si urë lidhëse mes ekraneve dhe audiencës, mes atyre që bëjnë filmat dhe atyre që punojnë shumë për t'i shpërndarë, mes muzikantëve që udhëtojnë nga e gjithë bota dhe takimit me ekipin që i pret me padurim në Prizren, mes vullnetarëve dhe stafit që punon pa u lodhur: ne dëshmojmë atë që shpejt do të na mungojë pasi të kalojnë nëntë ditë.
Nostalgjia zë fill dhe ka një farë lufte të përbrendshme kundër kohës të mbështjellë e dëshirën e madhe për të ngrirë momentet e haresë në fushat e basketbollit, në lokalet e fshehta, në kinematë e hapura: në mëngjeset ku vetëm pak njerëz dhe pastruesit e rrugëve presin ditën e re.
E njëjta heshtje paqësore mirëpret një program me ritme të shpejta imagjinatash të reja, duke treguar historitë që ne i dimë mirë të përkthyera në imazhe. Por gjithashtu duhet të pranojmë se DokuFest flet me gjuhën e rezistencë të fortë për gjithçka të lirë, të artit e të krijimtarisë.
Sa herë që shkoj në DokuFest, shoh sesi njerëzit rriten përmes programit "Future is here", përmes “ish-studentëve” të DokuFestit duke marrë përgjegjësinë për të drejtuar filmat e tyre, për të bërë kërkimet e tyre dhe për të zhvilluar programe që ftojnë të gjithë të shijojnë dhe eksplorojnë kulturën në një këndvështrim të ri.
Nga rezistenca e Prizrenit për ta ruajtur kinemanë e Lumbardhit, tek krijimi i hapësirave të reja për brezin e ri e deri te bashkëpunimi me festivale prestigjioze ndërkombëtare të filmit shohim se sa e madhe mund të jetë kultura dhe sa i përbotshëm është ky shkëmbim kulturor.
Nëpërmjet një rishikimi të botimeve të DokuDaily-t online, arrita të përkap këtë dëshirë të hershme për të kërkuar një të ardhme më të ndritur. Duke imagjinuar të gjithë të ardhmen, menjëherë duke punuar pa u lodhur për hapjen e hapësirave për të pritur çdo gjë të re, pavarësisht se çfarë është ajo.
Në frymën e temës së këtij viti, ne vërtet nuk mund të parashikojmë se çfarë do të mbajë e ardhmja ndërsa kemi reflektuar pambarimisht për më shumë se një javë se si robotët dhe IA mund të ndërhyjnë në jetën tonë përmes shtrembërimit të së vërtetës dhe mekanizimit të praktikave artistike. Por ne mund ta shohim të ardhmen tonë. Thellë brenda ne e dimë se gjithmonë do të ketë një ngjarje të papritur, një kryqëzim fatal me të panjohurën në mënyrë që të mund të zgjerojmë të kuptuarit tonë se si jetojmë.
Shpresojmë që robotët të mund të revoltohen dhe të kërcejnë, të protestojnë dhe të tregojnë histori të së ardhmes së paimagjinueshme, por jo nëse dikush merr frymë dhe shtyp butonin që kjo gjë të ndodhë.
Duke reflektuar dhe duke marrë kohë për të zbërthyer se çfarë lloj magjie ndodhi gjatë DokuFestit, ju ftoj të prisni me durim vitin e ardhshëm me histori të tjera, filma dhe dashuri të reja.
Nga: Blerina Kanxha
Fotografia: Kushtrim Haxha