09/08/2023

“Asnjë popull s’lind i korruptuar, përveç atyre që kanë çrregullime psikopatik” thuhet në filmin e Fredrik Gertten. ”Breaking Social” u shfaq në DokuKino të hënën mbrëma dhe pati një interesim të jashtëzakonshëm për të.

Eksplorimi i mënyrave se si korruptohemi nga pushtetarët miliarder përbën temën e këtij filmi, duke u ndërlidhur me rreziqet gjatë raportimit të gazetarëve. “Breaking Social” padyshim është dokumentari që fakton të gjitha tregimet e korrupsionit. Dëshmi e patejkalueshme bëhet kur gazetaret vriten, sa herë shfaqet një artikull me afera korruptive në media. Tentimi për t’ua ‘prerë’ gjuhën gazetarëve është që t’i ushqesh ata në të njëjtën mënyrë që i ke vjedhur. Nëse gazetari nuk bie pre e të palarave të tua, je i vdekur profesionalisht. Sikur mbeturinat që dalin në sipërfaqe pas vërshimeve. Mënyra e pakontestueshme se si ngrihesh në piedestal për një kohë të shkurt është t’i vjedhësh. Vjedhja fillon prej votës, nuk qëndron më në horizont e as në ekzistencë “Një person, një votë”, por, “Një dollar, një votë”.

Regjisori suedez Fredrik Gertten i kishte dhënë fokus Maltës, Kilit dhe ShBA-së, për dokumentimin e filmit. Regjisori u shfaq para publikut pas përfundimit të filmit për të biseduar rreth prapaskenave, detajeve, pikënisjes dhe përzgjedhjes së vendeve. Ai kishte zgjedhur Maltën për shkak të vrasjes së gazetares Daphne Caruana Galizia. Kilin e kishte përzgjedhur për arsye se gjatë kryengritjes, ai ishte në një dhomë hoteli ku posedonte edhe gaz lotësjellës, ndërsa ShBA-në për shkak të gazetares Sarah Chayes, e cila raportonte për korrupsionin atje.

Gjatë diskutimit Gertten e përmendi edhe Kosovën si një shtet që ngjasonte me trajtimin e temës në dokumentarin e tij.

“Nëpër botë ka shumë kompani që merren me kampanja të fushatave elektorale nëpër zgjedhje dhe askush nuk merret me to. Ne ia drejtojmë gishtin Kosovës, si një shoqëri shumë e korruptuar. Ata janë shumë të korruptuar por mendoj që është një mesazh tek njerëzit këtu, nuk është gjithçka rreth tyre, por është tek sistemi”.

Në film përveç këtyre temave u përfshi edhe rezistenca e qytetarëve, gjatë kryengritjeve në Kili, ndaj ngritjes së çmimeve të biletës në metro. Shumë qytetarë vërshuan rrugët e Kilit duke u revoltuar për gjërat që po ndodhnin atje. 
“Momenti kur njerëzit zemërohen është momenti kur gjërat përmirësohen”, kështu përshkruhen në dokumentar protestat që e kthyen Kilin në një vend më demokratik.

“Së pari dua të them që të kesh shpresë, të besosh se mund t’i ndryshosh gjërat është një akt rezistence në vete. Dhe mendoj se vet hapi i parë i këtij dokumentari është një akt rezistence, dhe vet festivali DokuFest është akt rezistence me përmasa globale. Duhet t’i shohim njerëzit se si i bëjnë gjërat. Në filmin që po bëja më një kinematograf brazilian po flisnim për paraqitjen e njerëzve, që t’i shpalosim ata siç janë, të shohim individ jo masa. Njerëz që kalojnë nga të bërit asgjë në të bërit diçka, kjo është shumë e rëndësishme. Nganjëherë kemi tendencë se po humbasim gjithçka, por nuk e shohim anën tjetër, që diçka tjetër e mirë po ndodhë. Është njëjtë si me lëvizjen feministe në Amerikën Latine që është tejet frymëzuese. Në anën tjetër gratë në Iran. Këto lëvizje janë ekstremisht frymëzuese”, shtoi ai.

Ky film na ballafaqon me dy situata shumë kontradiktore: në njërën anë janë qeveritë, pushtetet që korruptohen dhe korruptojnë masat dhe në anën tjetër janë qytetarët e indinjuar, të cilët nga lodhja dhe presioni revoltohen. Revoltat qytetare shpeshherë janë parehatia e qeverive të korruptuara.

Nga: Valona Hasani

Fotografia: Tughan Anit