13/08/2023

Mbrëmjen e kësaj të shtune u mbajt nata përmbyllëse e DokuFest në Lumbardhi Bahçe. Kjo natë bëri bashkë filmbërësit, entuziastët e filmit, organizatorët dhe mbështetësit e këtij festivali pa të cilët asgjë nuk do të kishte qenë e mundur.

Gara e fortë i vuri disa prej jurive në pozita të vështira, duke e parë të nevojshme që përveç çmimeve kryesore në kategoritë e caktuara të bënin edhe përmendje speciale.

Një emër që triumfoi e u ngjit 2 herë për të tërhequr çmimet në skenën e DokuFest ishte filmbërësja Blerta Haziraj, filmi i të cilës “The Future is Better Comrade” fitoi bursën mbështetëse nga fondacioni “ Les Fresnoy” dhe Talent Dox QKK Award.

“The Cervix Pass” rrëmbeu çmimin si filmi më i mirë i shkurtër nga Doc Alliance, teksa po të njëjtin çmim për filmin e gjatë e mori “Death of a City”.

“Hana e re” i regjisores Jehona Berisha u kurorëzua me çmimin e Distribucionit. Granit New Wave e kanë fituar Flaka Kokolli dhe Aurela Berila. 

Më poshtë ju sjellim listën e plotë të filmave fitues natyrisht bashkë me ata të zonës së nxehtë.

Best Green Dox Award - "Last Things"

Human Rights Dox Special Mention - "My Name is Happy"

Human Rights Dox Winner- "A Golden Life"

National - "Pristina, 2002"

Truth Dox Special Mention - 7 Winters in Tehran

Truth Dox Winner- "Total Trust"

Audience Award - "Snajka, Diary of Expectations"

International Shorts- "Neighbor Abdi"

DokuFest Candidate for EFA short film 2023 - "Daydreaming so Vividly about our Spanish Holidays"

International Short Dox - "Pacific Club"

International Feature Dox Special Mention - "Q"

International Feature Dox Winner- "Hypermoon"

Balkan Dox - "Drifting"

Filmbërësit të cilët morrën çmimet u siguruan të përshëndesnin audiencën nga skena, disa prej tyre edhe në mënyrë virtuale, teksa mesazhe lidhur me rëndësinë e DokuFest ndanë edhe përfaqësuesit e institucioneve mbështetëse dhe kompanive partnere.

Mbrëmja përmbyllëse e DokuFest ishte ajo që kurorëzoi të gjithë ato ditë të mrekullueshme me filma, miq dhe diskutime në Prizren. Ajo që i la kujtdo një shije të ëmbël, për të cilën do të vijojmë që tani të presim deri vitin tjetër…

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha