14/08/2022

Kjo e shtunë që shkoi shënoi natën e fundit të Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest. Për ditë me radhë 272 filma u shfaqën në kinematë e ndryshme nëpër qytet, u mbajtën diskutime, debate, klasa punëtorie, leksione u këndua dhe u kërcye nën tingujt e muzikës. Në edicionin e tij të 21- të DokuFest edhe njëherë e bëri Prizrenin qendër të kinemasë, priti dhe përcolli mysafirë nga e gjithë bota të cilët morën me vete pak nga filmat, dashuria dhe përkushtimi i njerëzve që e bëjnë këtë festival. 
Nata finale e festivalit që u mbajt në kinemanë “Lumbardhi” pati të pranishëm njerëz të cilët ecën dhe soditën rrugët e qytetit për ditë me radhe. Njohën vendasit, pak nga traditat, zakonet, u njohën me njëri- tjetrin duke bërë miq të mirë nga çdo cep i botës. Një festival nxjerr të fituar këdo që ka marrë pjesë, ndaj gara nuk është asgjë tjetër veçse një moment për t’u dhënë vendin e merituar atyre që juria i vlerësoi. Fituesit, një pjesë e të cilëve ishin të pranishëm u ngjitën vetë në skenë për të marrë çmimin dhe për të ndarë me publikun fjalët e rastit, të tjerë të cilët fizikisht nuk mundën të ishin në Prizren ishin kujdesur të çonin nga larg videourimet e tyre me fjalët më të ngrohta, herë-herë duke mos fshehur as lotët e gëzimit dhe emocionin për vlerësimin e merituar. 
Më poshtë po ju njohim me fituesit, filmat e të cilëve rrëmbyen zemrat e publikut dhe jurisë: 
Ballkan Dox winner: “Factory to the Workers”
International Feature Dox winner: “Dry Ground Burning” 
International Feature Dox Special mention: “The Eclipse” 
International Shorts Dox winner: Haulout 
International Shorts Dox special mention: “I am trying to remember” 
International Shorts winner: “Will my parents come to see me” 
International Shorts special mention: “Love and Revenge” 
Human Rights Dox special mention: “Children of the mist” 
Human Rights Dox winner: “Mynamar Diaries” 
Human Rights Dox special mention: “The New Greatness Case” 
Green Dox winner: “Foragers” 
Truth Dox winner: “The killing of a journalist” 
DokuFest candidate for EFA: “Memoir of a veering storm” 
National winner: “Ka me kalu” 
Audience award: “Love, Deutchmarks & Death” 
Distribution award: “Shpija” 
Ndonëse në festival u ndanë vetëm kaq çmime çdo film pjesëmarrës mori vëmendjen dhe dashurinë e publikut dhe jurisë. Ndaj ndoshta kjo është një ndër të paktat herë, kur shprehja “të gjithë janë fitues” merr kuptim. 
Mbyllja e natës së fundit të edicionit të 21- të të DokuFest ishte një festë si i gjithë edicioni. Një festë dhe një moment reflektimi për të gjithë ata që morën e dhanë dashuri me njëri-tjetrin për 9 ditë me radhë, në qytetin më të dashur Prizren.
Ndaj deri në edicionin tjetër, urojmë që kjo dashuri të vijojë e të përhapet, të shumëfishohet e të infektojë zemrat e çdo qenieje të gjallë të planetit.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Elmedina Arapi