12/08/2022

Industria e filmit ka dëshmuar pareshtur që ka ndikim depërtues në shoqëri dhe sipas drejtoreshës së marketingut në Neptun Kosova, Kaltrina Hoxha, kjo influencë pozitive i shërben dukshëm edhe komunitetit të biznesit. Në një intervistë për DokuStories ajo shpalos bashkëpunimin e sivjetmë me DokuFest.

DS: Neptun, si kompani lidere në tregun e shitjes me pakicë, të pajisjeve elektronike dhe pajisjeve elektroshtëpiake, sivjet është sponsor i argjendtë i DokuFest. Çfarë ju ka shtyrë në këtë partneritet?  
Hoxha: Në fakt është partneritet i shtyrë ndër vite, që më në fund gjeti orën e tij në një moment kulminant të festivalit. DokuFest është një festival frymëzues dhe përcaktues trendesh, që ka zgjeruar perimetrin e angazhimit profesional përtej industrisë së filmit dhe ka pasuruar në vazhdimësi portofolion e artit urban. Mesazhi i edicionit të sivjetmë sjellë një pikëpamje më të thelluar të realitetit të sotëm dhe si i tillë është ftesë për të kuptuar esencën e mbijetesës dhe për të vlerësuar në mënyrë më koshiente jetën dhe planetin. Kështu që, partneritet i arsyetuar me argumente vlerash do thosha, për një festival që ka vulosur gjurmën e tij.

DS: Pse e shihni si të dobishëm bashkëpunimin me një ngjarje kulturore të nivelit ndërkombëtar, që mbahet në Prizren?  
Hoxha: Kur dy subjekte lidere bashkohen rezultati është vlerë e shtuar për komunitetin artistik dhe atë afarist. Ashtu si DokuFest që ka kapërcyer kufijtë e ndikimit të tij, edhe Neptun është pjesë e një grupi që investimet e tij i ka shtrirë përtej kufijve. Të influencosh në formatin që festivali e ka bërë ndër vite është padyshim investim për një mjedis social më të shëndetshëm dhe frytdhënës.

DS: Si mund të avancohet partneritet i biznesit me ngjarjet kulturore, që promovojnë punën e filmbërësve?  
Hoxha: Nëse përqafojmë të njëjtin vizion sigurisht që mund ti çojmë këto ngjarje kulturore në nivelin ku realizimi ekipor dhe ai individual do mbanin po njëlloj primatin. Industria e filmit ka dëshmuar pareshtur që ka ndikim depërtues në shoqëri dhe kjo influencë pozitive i shërben dukshëm edhe komunitetit të biznesit.