11/08/2022

Një performancë informuese nën emrin “Re: Vizija #4” e mbajtur pasditen e kësaj të mërkure në ambientet e brendshme të kinemasë “Lumbardhi” njohu të pranishmit me një prej aspekteve të kinemasë ish-jugosllave. Përmes sekuencave të përzgjedhura nga filma të realizuar në vendet e Republikës së ish-Jugosllavisë të cilët kryesisht përkojnë me vitet 50-75 paraqitet dinamika e imazhit të gruas fuqizimi e më pas sërish shfuqizimi saj në produktet kinematografike. 
Ligjërata e ndarë në disa sekuenca shpjegoi dinamikën e asaj që ndodhte në kinematografinë e zhanrit fiction në këta filma që në këto vende asokohe pjesë të ish- Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ishin një formë e propagandës. 
Leksioni filloi me paraqitjen e imazhit të gruas në filmat më të hershëm të cilët e tregonin figurën e saj si të shtypur nga burrat. Sekuenca nga filmat në të cilat baballarët nuk linin vajzat të martoheshin me atë që doni, të ndiqnin dëshirat e tyre apo deri tek martesat e rregulluara dëshmuan për një aspekt të kinemasë që asokohe kërkonte t’i tregonte shoqërisë panoramën në të cilën ajo ishte gjendur dhe nga e cila duhet të dilte. 
Më vonë fillojnë revoltat e para të vogla të shprehura përmes lojës së aktoreve në këto filma. Kundërshtimet e para ndaj akteve patriarkale mund të konsiderohen fare mirë si një lloj revolte e gruas në kinematografi ndaj asaj që i kishte ndodhur. 
Industrializimi i shoqërisë e gjen gruan në Jugosllavi më të fuqizuar dhe figurën e saj në filma të shprehur herë-herë si një kundërshtare të burrit. Ajo tregohej si një nënë, bashkëshorte dhe punëtore e suksesshme që herë-herë kapërcente edhe kufijtë e të zakonshmes, apo ishte më e fuqishme në raport me bashkëshortin. 
E gjithë kjo më vonë do të merrte një kthesë në filma të tjerë të cilët fillojnë të flasin sërish dhe të reklamojnë të ashtuquajturat vlerat dhe antivlerat e atij konteksti kohor. Aktet e tradhtisë, prostitucioni dhe të tilla si këto shprehen në produkte kinematografike si të pamoralshme dhe personazhet me të tilla karaktere nuk kishin një fund aspak të mirë. Ajo që ndodhte me to ishte shpeshherë brutale apo çnjerëzore. 
Hulumtimi i të gjitha këtyre rasteve të mbledhura, grupuara dhe studiuara janë një formë mjaft e mirë për të treguar jo vetëm përmes librave ndodhitë e asaj shoqërie. Produktet kinematografike të shfaqura në leksionin e performuar ngjallën mjaft kureshtje dhe shkaktuan jo pak habi tek audienca që i ndoqi me vëmendje.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Esad Duraki