11/08/2021

Pasi ka marrë shumë këshilla në lidhje me ngjarjet që zhvillohen në DokuFest, deputetja e Parlamentit Evropian si dhe raportuesja për Kosovë, Viola von Cramon,  shfrytëzoi rastin për të vizituar edicionin e 20-të të festivalit, i cili po mbahet në Prizren. Në një intervistë të shkurtër me DokuStories ajo shpjegon çka  e solli atë në DokuFest.

“Të gjithë më kanë thënë se po pata mundësi, pavarësisht kur, duhet ta vizitoj DokuFest-in. Është festival i mirënjohur gjithandej nëpër Evropë, por edhe në mesin e mbështetësve e miqve të Kosovës. Me që isha në Serbi, Beograd, Preshevë, e shfrytëzova rastin të vij në Prizren për dy ditë”, thotë von Cramon shkurt pasi vizitoi ekspozitën e fotografive: Vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri. 

Ajo e çmon atmosferën e bashkëpunimit kulturor të krijuar gjatë festivalit. “Sigurisht që është kënaqësi e madhe, është nder i madh të jem këtu në këtë mot të këndshëm me njerëz të mrekullueshëm, këtë shije ndërkombëtare, kjo mënyrë e bashkëpunimit kulturor është vërtetë e mahnitshme, dhe ndjehem shumë rehat që jam këtu. Nuk kam mundur t’i kaloj pushimet verore më mirë se këtu”.

Von Cramon gjithashtu ndan mendimet e saj lidhur me atë se pse ngjarje të tilla kulturore janë të rëndësishme për Kosovën dhe imazhin e saj në skenën ndërkombëtare. 

“Kosova ka trashëgimi të gjerë. Shikojeni Prizrenin, gjithë ato kombësi të ndryshme, trashëgimi fetare, ndërtesa të shekujve të ndryshëm, i shihni njerëzit me kualifikim, prejardhje e gjuhë të ndryshme që jetojnë këtu në mënyrë shumë paqësore, dhe për mua kjo është një shenjë ndaj botës për t’i treguar se multietniciteti është i mundur. Në Prizren, ju mund ta shihni këtë çdo ditë. Dhe me kulturën e festivale të filmit si DokuFest-i ju ftoni botën apo komunitetin ndërkombëtar të shikojë atë që mund të prezantoni.”

Ajo gjithashtu shtoi se Prizreni është vendi i duhur për të pritur mysafirët e festivalit, me që ka shumë vlera brenda tij. “Kur erdha këtu javë më parë u impresionova nga shumanshmëria e qytetit, ushqimi i mirë, kultura e mrekullueshme, por edhe nga ambienti paqësor i bashkëjetesës. Në fakt për mua ky është shembull për shumë vende të tjera në botë”, thotë von Cramon.

 

Përveç pjesëmarrjes në ngjarjet e festivalit, von Cramon ka treguar se sa me padurim pret të shoh disa prej filmave nga programi i zgjedhur me kujdes, që paraqet tregime dhe ngjarje nga e mbarë bota, në kinematë unike të DokuFest-it.