09/08/2022

Pasditja e kësaj të hëne rezervoi një kohë kualitative në ambientet e shtëpisë së “Shani Efendi”. Hapja e ekspozitës “Performing Democracy”, një projekt i realizuar në bashkëpunim me Kiosk nga Beogradi, Kontrapunkt nga Shkupi dhe DokuFest nga Prizreni ja doli të tërhiqte vëmendjen e një sërë njerëzish të cilët e vizituan. Thelbi i ekspozitës, ka të bëjë me një mori videosh në të cilat paraqiten njerëz nga grupe të ndryshme shoqërore nga qytete të ndryshme të Ballkanit të cilët tregojnë konceptin e tyre lidhur me tematikën e demokracisë, duke na dhënë natyrisht një panoramë të saj në vendet ku jetojnë.       
“Lidhur me këtë projekt kemi intervistuar njerëz nga politika, përditshmëria, mësues, artistë dhe secili prej tyre ka treguar pikëpamjen e tij për demokracinë. Ato video i kemi bërë bashkë dhe përmes tyre mund të kuptojmë se si qytetarët e secilit shtet e shohin demokracinë. Kjo ekspozitë, premierën e saj të parë e ka patur në Beograd para dy muajsh, pastaj në Shkup, ndërsa tani radhën e ka Prizreni në kuadër të DokuFest”, shprehet Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e DokuFest.
Ndërkohë në të njëjtën shtëpi, por në një hapësirë tjetër “Fondi për të drejtën humanitare” në Kosovë që merret me dokumentimin e krimeve të luftës ka sjellë një tjetër ekspozitë. Bëhet fjalë për një kënd të ballafaqimit me të kaluarën, ku kanë sjellë copëza të ekspozitës “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, që qëndron e hapur prej vitit 2019 në këtë qendër, dedikuar fëmijëve që e kanë humbur jetën ose janë zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë. 
Vesa Qena, menaxhere e “Qendrës së dokumentimit me të kaluarën” rrëfeu arsyen se si lindi ideja për të sjellë këtë ekspozitë në kuadër të DokuFest. 
“Na lindi ideja që ta sjellim një pjesë të kësaj ekspozite në DokuFest dhe një dhomë i dedikohet rrëfimit të Gramoz Berishës i mbijetuar i masakrës së Suharekës. Ai rrëfen mënyrën se si ka arritur të shpëtojë së bashku me nënën dhe gruan e xhaxhait kur ka qenë vetë 8 vjeç. Ajo është “dhoma e errët” në të cilën shikuesi vjen dhe dëgjon rrëfimin e Gramozit ndërsa në dhomën tjetër kemi shfaqur 6 filma të animuar në monitorë ku tregohen ngjarje tragjike në ditët në të cilat kanë ndodhur.”
Të dyja ekspozitat mund të vizitohen lehtësisht nga kushdo që është i interesuar të mësojë më shumë rreth historive të këtyre njerëzve, pasi vendosja e tyre në të njëjtën godinë dhe hapja në të njëjtën ditë nuk është aspak rastësore. Të dyja këto u dedikohen njerëzve, rajonit dhe të  kaluarës së vendeve të tij. Jo vetëm në Kosovë por gjithë ish- Jugosllavisë. Ekspozitat do të qëndrojnë të hapura deri më datë 13 të këtij muaji në shtëpinë e “Shani Efendi”.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Elmedina Arapi