06/08/2022

Teknologjia si një pjesë e pandashme e dinamikës së ditëve të sotme nuk mund të mungojë as në në DokuFest. DokuTech është hapësira që përmes workshopeve, filmave dhe diskutimeve ka si qëllim të afrojë dhe të vetëdijësojë kryesisht të rinjtë me botën e teknologjisë. 
Aktivitetet e DokuTech startuan në mesditën e kësaj të shtune në ITP ku të pranishëm ishin të rinj nga anë e mbanë trojeve. “T’i rezistosh inteligjencës artificiale” ishte tema, diskutimi i të cilës i hapi udhën një sërë aktivitetesh të natyrës teknologjike. 
I pranishëm në diskutimin e kësaj të shtune ishte autori librit “Resisting AI: An Anti-fascist approach to Artificial Intelligence”, Dan McQuillan. Ky botim që hedh dritë në anën e errët të inteligjencës artificiale u shpalos nga vetë autori, që nuk hezitoi të ndante me të rinj edhe detajet më të vogla të njohura prej tij nga kjo botë. 
“Fytyra ime nuk është një barkod” është tema që shoqëron të gjithë edicionin e 9-të të DokuTech.  Teksa McQuillan gjatë diskutimit të tij u ndal sidomos tek rëndësia e njohjes së kësaj teknologjie. 
“20 vite më parë askush nuk ka mundur ta imagjinojë që kompjuterët mund të kryejnë punët që kryejnë ditët e sotme. Sot është shumë e rëndësishme ta njohim mirë këtë teknologji, pasi nuk bëhet fjalë për një lloj të zakonshëm teknologjie. Është vërtetë shumë e rëndësishme ta njohim mirë këtë aspekt të teknologjisë në mënyrë që të mundemi ta përdorim mirë.” 
Ndërsa për drejtoreshën ekzekutive të fondacionit “IPKO” që është njëherazi organizata që vë në lëvizje DokuTech, Abetare Gojani fillimi i veprimtarive të kësaj natyre pikërisht me një debat si ky i kësaj të shtune është një fillim i mbarë. 
“Rëndësia e mundësisë së realizimit të një platforme si DokuTech në kuadër të festivalit DokuFest është një ndër arritjet më të rëndësishme për misionin e organizatës tonë. Inteligjenca artificiale, fusha e të dhënave dhe trendet më të reja të teknologjisë janë vetëm disa nga aspektet lidhur me të cilat të rinjtë mund të përvetësojnë në këtë edicion të DokuTech. 
Këta të rinj kanë mundësinë që përmes diskutimeve të eksplorojnë, mësojnë dhe pajisen me aftësitë e trendeve më të reja teknologjike në botë.”
“Si të mbijetojmë?” është pyetja që shoqëron të gjithë DokuFestin. Dhunës, fashizmit, shfarosjes dhe të gjithë faktorëve të tjerë që me apo pa vullnetin tonë kërcënojë sa do pak jetën e qytetarëve të globit. A është teknologjia dhe inteligjenca artificiale njëra prej tyre? Nëse po, “Si të mbijetojmë?”

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Esad Duraki