13/08/2022

Rëndësia e dokumentimit të krimeve të luftës solli në panelin e fundit të DokuTalks, katër profesionistë nga Kosova dhe Ukraina të cilët morën në referencë të kaluarën dhe të tashmen e dy vendeve për të treguar rëndësinë e raportimit. Në vende ku plaga ende dhemb dhe është e hapur, të treguarit të të kaluarës është një detyrim, diçka që ndihmon në shërimin e këtyre plagëve. Pjesë të panelit të moderuar nga Dea Gjinovci ishin Bekim Blakaj, Nebi Qena, Zhanna Maksymenko-Dovhych dhe Sasha Romantsova. Ata sollën në vëmendje raste specifike të ngjarjeve që vetë i kanë dëshmuar, duke mos lënë jashtë vëmendjes përpjekjen që është dashur për ti identifikuar e më pas referuar këto raste drejtësisë, për ta lënë të bëjë punën e saj. Gjithashtu edhe periudha pasi këto raste bien në duart e drejtësisë nuk është një pjesë në të cilën dhimbja mbaron, vështirësitë nuk mungojnë dhe ndonjëherë as burokracitë me të cilat jo rrallëherë viktimat përballen në dyert e gjykatave. Ama vështirësia e hulumtimit mbetet një sfidë, të cilën e solli në vëmendje edhe Bekim Blakaj. 
“Ne e kemi nisur organizatën tonë në Kosovë për të dokumentuar ngjarjet dhe unë kam filluar të punoj duke bërë intervista, duke takuar familjarë të viktimave dhe të mbijetuar për të grumbulluar kështu informacion. Ne asokohe nuk e dinim si ta bënim këtë ishte e thjeshtë të trokisje në derën e viktimave dhe ti identifikoje ata. Natyrisht është një punë e vështirë për tu bërë, të flisje me familjarët e viktimave dhe t’ua shpjegoje atyre arsyen se përse të duhej ky informacion. E rëndësishme është të mos kesh pritshmëri të mëdha, por familjarët e të zhdukurve besojë tek ti kur ua shpjegon pasi ata besojnë se ti ke fuqinë dhe mund t’i ndihmosh të gjejnë familjarët e tyre të zhdukur... Sot 23 vite më vonë ne ende po punojmë në atë drejtim dhe kemi në regjistër një numër të lartë të të zhdukurve. Çfarë na mësoi ky proces ishte që ishte e nevojshme të dokumentohen për të mos u përballur me situatat kur informacioni fshihet, të zhdukurit, të vdekurit numri i tyre ndryshohet apo manipulohet. Gjithashtu dokumentimi është përdorur edhe për ti përkujtuar, kështu që duke krijuar këtë narrativë këtë memorie kolektive që është e bazuar në fakte si një formë edukimi ne kemi zhvilluar një program informal edukimi. Ky është një kontribut i vogël i organizatës tonë në edukimin dhe dokumentimin e të shkuarës”.
Ndërsa gazetari i njohur, Nebi Qena në fjalën e tij nuk harroi të sillte në vëmendje përgjegjësinë e reporterëve kundrejt kësaj pune kaq të madhe që ata bëjnë. Ky ishte diskutimi i fundit i DokuTalk dhe pati një numër të lartë pjesëmarrësish.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha