12/08/2022

“Mbjella e Pemëve” është filmi i regjisorit Fabio Seferi që u shfaq pak ditë më para në DokuFest. Një histori që të çon në retrospektivë në Shqipërinë nën regjimin diktatorial. Përmes një metafore i gjithë filmi tregon kontekstin shoqëror të kohës, vuajtjen dhe nevojën për t’i shpëtuar xhelatëve. 
Në një intervistë për DokuStories, Seferi tregon detaje nga filmi, që ka një kast aktorësh të njohur shqiptarë, dhe që ishte çak-u i fundit i të ndjerit Gulielm Radoja përpara se ai të vdiste.  

DS: Pas xhiros nëpër festivale brenda dhe jashtë Shqipërisë tashmë "Mbjellja e Pemëve" shfaqet edhe në DokuFest. Si ndihesh?
Seferi: Për mua selektimi në DokuFest eshtë i rëndësishëm pasi ky festival është një nga festivalet më të mira, ka një organizim shumë të bukur në qytetin e Prizrenit dhe çka e bën edhe më të veçantë prezantimin e filmit tim këtu është sepse filmi është premierë për Kosovën.  
 

DS: Subjekti i filmit i qëndron më së miri kategorisë së filmave nacionalë. A do ta vendosje në një kategori tjetër? 
Seferi: Unë mendoj se vendosja në këtë kategori është më se e saktë pasi Shqipëria dhe Kosova janë një dhe me sa kam parë edhe filmat e tjerë që janë në këtë kategori janë të gjithë filma shqiptarë dhe kosovarë ose filma me regjisorë shqiptarë.
 

DS: Çfarë do të thotë për ty si regjisor pjesëmarrja në DokuFest? 
Seferi: Për mua pjesëmarrja në DokuFest është një portë e re e hapur për mua për të takuar njerëz të tjerë të talentuar dhe për të parë edhe punët e kolegëve të mi dhe për të krijuar miqësi të reja si dhe projekte të reja. Sigurisht edhe për të fituar Çmimin edhe për të bërë pak qef mes miqve.
 

DS: Si mendon se e ka pritur publiku i DokuFest filmin tënd? 
Seferi: Mendoj se publiku e ka pëlqyer filmin dhe ka kuptuar edhe historinë e Shqipërisë komuniste. 
 

DS: "Mbjellja e pemëve" është çak- u i fundit i të madhit Gulielm Radoja, si të bën kjo të ndihesh dhe si mendon se do të ndihej ai? 
Seferi: Unë mendoj që Gulielmi do të ndihej shumë krenar për filmin dhe për besimin qe ai krijoj tek unë. Pra mendoj se nuk do të zhgënjehej për punën e bërë me filmin.
 

DS: Cilat janë pritjet e tua nga DokuFest?
Seferi: Për mua e rëndësishme është që filmi të shihet dhe të pëlqehet dhe sigurisht nëse filmi fiton dhe një Çmim do të ishte fantastike si për filmin po ashtu dhe për të gjithë kastin dhe grupin që punuan në këtë film. Gjithsesi mendoj se më e rëndësishmja është krijimi i miqësive midis kolegëve dhe bashkëpunimet në të ardhmen që mund të lindin nga takimet nëpër festivale si DokuFest.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Esad Duraki