07/08/2022

Premiera botërore e filmit dokumentar "Kah kqyrsha përpjetë, e shihsha veten përfuni" e regjisorit Ilir Hasanaj është realizuar në kuadër të edicionit të 21-të të DokuFestit. Ky dokumentar ka shpalosur historitë intime të disa personave të komunitetit LGBTQ nga Kosova, që kalojnë nëpër kërkimin e pandërprerë të një vendi të sigurt që ua lejon të jenë vetja.
Guximi i këtyre personave për t’u paraqitur në film dhe për të rrëfyer vështirësitë me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme e që janë rezultat i qasjes përjashtuese të shoqërisë, është vlerësuar nga publiku i pranishëm të shtunën pasdite në DokuKino. Audienca me duartrokitje të gjata ka shpërblyer ekipin e filmbërësve, sikurse edhe protagonistët e pranishëm të filmit.
Në sesionin e diskutimit, drejtori artistik i DokuFestit, Veton Nurkollari ka shprehur mirënjohje për ekipin e filmbërësve dhe protagonistët e dokumentarit, që kanë treguar një rrëfim të tillë nga Kosova.  
“Kemi pritur një kohë të gjatë. Kemi shfaqur filma, deri në momentin sikur ky. Jam super i emocionuar për një moment sikur ky, me ju pas krejt juve në skenë. Ju faleminderit, që keni pranuar me tregua jetën e juaj, edhe telashet, sepse ne i dimë, por nuk kemi qejf me folë për to... Mendoj se është një moment i jashtëzakonshëm jo vetëm për filmin, por edhe për skenën kulturore, liberale. Për një shoqëri më të mirë na duhen këso filma”, ka thënë Nurkollari.
Regjisori Ilir Hasanaj ka pohuar se është mjaft i emocionuar dhe ka vlerësuar guximin e protagonistëve të filmit. “Një falënderim tepër i madh për këta persona që kanë pranuar me dal këtu, me i tregu storiet që janë tepër intime, që është tepër vështirë sepse bëhesh cak”. 
Producentja e filmit, Aurela Kadriu ka theksuar se me producentin tjetër të filmit, Dardan Hotin, kanë kontaktuar mbi 30 persona të komunitetit LGBTQ në Kosovë, duke insistuar për shpalosjen e hapur të historive intime të tyre. “Nga lista prej 30 personave që i kemi kontaktuar përgjatë procesit afër 4 vjeçar, këta janë heronjtë e vërtetë që kanë vendosur ti tregojnë historitë e tyre”. 
Ndërsa Hoti ka shtuar se është i gëzuar që ky projekt po e sheh dritën për të treguar se “personat LGBTQ janë njerëz dhe jetojnë në Kosovë”.  
Duke folur për filmin, regjisori Hasanaj ka theksuar se qëllimi i tij ka qenë që secili karakter të paraqitet në mënyrë tjetër, meqë janë të ndryshëm. “Është një përgjegjësi tepër e madhe, sepse po e merr përsipër punën me e tregu jetën e dikujt. Është tepër e madhe, ende kam frikë”.  
Dokumentari "Kah kqyrsha përpjetë, e shihsha veten përfuni" do të shfaqet edhe të premten më 12 gusht nga ora 20:00 në Lunar Cinema.

Fotografia: Agon Dana