12/08/2020

Nga Marko Stojiljković, publikuar në Ubiquarian

Ka diçka të veçantë në shoqëritë dhe marrëdhëniet e të rinjve. Ne priremi ti afrohemi dikujt, për të ndarë kohëra të mira e të këqija dhe për të zbuluar ca ndjenja në të, e pastaj të ndajmë vetë rrugën tonë sa hap e mbyll sytë për të mos u parë kurrë. Filmi Once Upon a Youth i Ivan Ramljak është udhëtimi personal i regjisorit në rindërtimin e miqësisë së rinisë e cila ishte formuese jo vetëm për të dhe shokun e tij më të mirë dikur, por edhe për një grup më të gjerë të njerëzve në një kontekst specifik në fund të viteve ’90 në Zagrebin e pas luftës.

Filmi, i realizuar në produksionin e Akademisë së Artit Dramatik në Zagreb, u dha premierë në edicionin online të DokuFest-it të 19-të, ku patëm rastin ta shohim.

Protagonisti i filmit Marko Caklovic ishte fotograf i talentuar, hedonist fanatik dhe ndoshta shpirt i jetës urbane dhe kulturës së Zagrebit gjatë viteve të mjegullta të shënuara nga trauma e luftës së fundit dhe përpjekjet individuale të banorëve të tij për të krijuar diçka për të ardhmen. Caklovic ishte ai i cili do modelonte dhe fillonte një radio stacion studentor, ishte promovues i muzikës alternative, pionier i të bërit VJ, një kinofil entuziast dhe artist. Stili hedonist i jetesës dhe qasja moskokëçarëse e çuan atë në telashe me abuzim substancash, duke çuar në një mbidozë aksidentale me heroinë e cila la shumë shokë të tij të frikësuar dhe hutuar.

Once Upon a Youth është një film që dallon nga çdo gjë në filmografinë e shkuar të Ramljakut. Regjisori njihet për filmat e tij plehra pa buxhet Bore Lee, dokumentarët vëzhgimor për vendet e braktisura si kinematë në ishujt kroat (Kino otok, 2016, dokumentar i shkurtër) dhe ndërtesa piketë në fshatin e lindjes së Titos, Kumrovec (Home of the Resistance, 2018), si dhe veprën e tij eksperimentale.

Qasja e Ramljak këtu mund të përshkruhet si kolazh. I gjithë xhirimi i përdorur në film ishte krijuar dhe dedikuar Caklovicit (më vonë gjatë filmit Ramljak thotë se dy shokët dëshironin të bënin një film bashkë) dhe konsiston me video incizime amatore VHS dhe poza fotografish. Në anën tjetër, përmbajtja ishte paraqitur përmes rrëfimeve në prapavijë nga vetë Ramljak, një tjetër shok i Caklovic, dy ish të dashurat e tij dhe e motra të cilët që të gjithë ndajnë kujtime me Markon, marrëdhënie me të dhe kohë të kaluara bashkë.

Ka shumë kujtime të udhëtimeve të tyre në koncerte dhe festivale filmash në Lubjanë dhe pushime në ishuj të bregdetit të Dalmacisë, rutinat e tyre në Zagreb (ndoshta më qesharakja është eksperimenti i “udhëtimit në kohë” i filmuar në një incizim të vazhdueshëm në veturë derisa udhëtonin përreth Pavijonit ikonik Artistik që dikur ishte xhami), netët e filmit e të kumarit. Ka edhe ca shenja të errësirës së brendshme të Markos dhe impulse të vetë-shkatërrimit të cilat shkojnë me perceptimin e një artisti si shpirt i trazuar.

Materiali duket i manipuluar shumë pak, falë punës së Borna Buljevic në departamentin e dizajnit zanor dhe montazhit prej eksperti të Ivor Sonje, derisa skenari ofron një baraspeshë ideale në mes të vazhdimësisë dhe impaktit te shikuesi. I papërpunuar në pamje dhe i vërtetë sa i përket motivimit të të gjithë personave të përfshirë, Once Upon a Youth është një vepër shumë-shtresore arti që futet thellë në pikturimin e një portreti të një personi unik, një peizazhi të një vendi të caktuar në një kohë të caktuar, aspektet filozofike të miqësisë dhe gjeneratës e cila u përpoq të bënte diçka pavarësisht të gjitha vështirësive.