12/08/2021

Banka ProCredit edhe sivjet ka vazhduar traditën e mbështetjes së DokuFest. Në një intervistë për DokuStories, drejtoresha gjenerale e Bankës ProCredit në Kosovë, znj. Eriola Bibolli flet për ndërtimin e këtij partneriteti, rezultatet e tij si dhe rëndësinë e përkrahjes së ngjarjeve të tilla kulturore.

Banka ProCredit tashmë është sponsor tradicional i DokuFest. Si është ndërtuar dhe ruajtur ky partneritet përgjatë 17 viteve të kaluara?

Bibolli: Tani e 21 vite të operimit në Kosovë, Banka ProCredit ka qenë shembull i një institucioni të besueshëm e serioz me standarde të larta të transparencës, ekspertizës dhe inovacionit.

Banka Procredit është një institucion i bazuar në një model biznesi që shtrihet përtej operacioneve standarde bankare, mbështet dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit përmes një bankimi të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.

Një ndër synimet kyçe tona në nivel të grupit është pikërisht balancimi mes fitimit dhe ndikimit që kemi në shoqëri. Fitimi financiar për ne ka qenë gjithmonë vetëm mjet për të mbështetur çdo vend që operojmë për të përmirësuar shoqërinë e tij përmes një ekonomie të qëndrueshme, institucioneve arsimore moderne, më shumë kulturë, aktiviteteve më të mira sportive dhe, me shpresë, një mjedis më të gjelbër. Pra, jemi të dedikuar që një pjesë të fitimeve tona si institucion, ta kthejmë prapa tek komuniteti në forma të ndryshme.

Duke pas parasysh rëndësinë që kanë aktivitetet kulturore në vend, efektin ekonomik që sjellë festivali DokuFest në qytetin e bukur të Prizrenit dhe më gjerë, si dhe promovimin e artit dhe kulturës sonë edhe përtej kufijve, përkrahja e këtij festivali nga banka jonë padyshim që vjen natyrshëm.

Koncepti i përkrahjes së partnerëve në periudha afatgjate është diçka e ngulitur thellë në strategjinë tonë. Kjo praktikë, përveç që aplikohet ndaj klientëve tanë të biznesit dhe atyre privat, sigurisht që është pjesë e pandashme e çdo partneriteti tjetër duke përshirë këtu bashkëpunimin tashmë 17 vjeçar që kemi me DokuFest.

Siç thotë Frederik Nael, “Duhen të dyja anët për të ndërtuar një urë” dhe ne këtë rast kjo urë e bashkëpunimit afatgjatë po vazhdon të jetë e fortë falë angazhimit, kontributit dhe inovacionit të vazhdueshëm që vjen nga të dyja palët.

Cilat janë rezultatet e këtij partneriteti afatgjatë?

Bibolli: Një punë e madhe dhe me kaq pasion, nuk ka se si të mos jep rezultatet e saj. DokuFesti tanimë është shndërruar në festivalin më të rëndësishëm të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropën Juglindore dhe kjo sigurisht që vjen edhe falë mbështetjes se pa kursyer që ne si Bankë kemi dhënë ndër vite. Kur flasim për mbështetje, këtu jo gjithmonë bëhet fjalë vepër për mbështetje financiare. Vlen të theksohet se ndër të tjera, ky festival në vitin 2020, në përballje me pandeminë e cila ka sfiduar çdo veprimtari, ka bërë një hap tejet të madh dhe progresiv duke ofruar edhe platformën e saj online. Edhe këtu përkrahja teknike me shërbime që mundësojnë shitjen e biletave online dhe ndarja e eksperiencës sonë në fushën e digjitalizimit, ka qenë e pakursyer duke mundësuar që tanimë festivali të jetë i hapur për artdashësit anë e mbanë botës.

Si konkludim, sukseset e këtij partneriteti i shohim dhe i ndjejmë të gjithë kur shohim stabilitetin, rritjen dhe transformimin pozitiv që ka DokuFest ndër vite.

Pse është e rëndësishme përkrahja për ngjarjet e tilla kulturore, që prezantojnë shtetin, kulturën dhe artin tonë para botës?

 

Bibolli: Arti është ndër format më të bukura përmes së cilit shkëmbehen mesazhe, ide e kultura të ndryshme. Çdo shkëmbim i tillë i kulturave e pasuron individin. Brenda grupit të bankave ProCredit, ka një diversitetit të gjerë kulturor me mbi 30 kombësi në selinë tonë në Gjermani dhe me një fokus të veçantë në balancim gjinor ku 50% e menaxherëve tanë të lartë dhe të mesëm janë gra. Kjo konsiderohet si pasuri jashtëzakonisht e çmuar. Në linjë me këtë, është e pritshme që përkrahja e ngjarjeve të tilla kulturore që trajtojnë tema sociale, prezantojnë shtetin, kulturën dhe artin tonë para botës, të jetë shumë të rëndësishme për ne.