08/08/2020

Ende të cifluara nga turbullimet shoqërore e shëndetësore të muajve të fundit, kohët e pasigurta mbeten pjesë e së përditshmes. Të qartë përpara vështirësive të një takimi ballë për ballë me audiencën, por të palëkundur ndaj dashurisë për filmin dokumentar e të shkurtër, ekipi i një ndër festivaleve më të përzemërt të Ballkanit vendos të trokasë virtualisht në derën e çdo dashamirësi. Kështu, realiteti virtual nuk është më vetëm një ndër programet e agjendës së larmishme kulturore siç ka qenë rasti në edicionet e kaluara. Eksperienca në fjalë, një ndër më të përfolurat të DokuFest e në bashkëpunim me Gjirafa Video që prej 2017, është tanimë më e prekshme se kurrë më parë.

Jashtë çdo fakti të dukshëm, ndjekësit e DokuFest ndahen përgjithësisht në dy grupe kryesore: ata të cilët prej vitesh planifikojnë paraprakisht një pjesë të gushtit për t’ia kushtuar fizikisht Prizrenit, si dhe kureshtarët e herës së parë të cilët sapo vënë këmbët në sheshin e Shadërvanit, i bashkohen pothuaj menjëherë grupit të parë. Në këtë vit të nëntëmbëdhjetë të ekzistencës së festivalit, të shumtë janë ata që pyesin (e me të drejtë): Si mund të ndajmë DokuFestin nga qyteti në të cilin ai zhvillohet? Në një mënyrë ose tjetrën, kujtimi i eksperiencës së edicioneve të kaluara përkthehet në trishtim. Duke nisur që nga shoqërimi i kafes së mëngjesit me pavendosmërinë se cilat filma duhen parë gjatë ditës, e më pas duke vazhduar me vrapin nga një sallë kinemaje në tjetrën nën zhegun e Prizrenit, shijimin e atmosferës vendase e cila ndryshon kryekëput nga ditët e tjera të vitit, e gjer tek pritja e vazhdueshme për DokuNights si mënyrë për të rinisur çdo gjë të nesërmen, realiteti virtual mund të duket diçka e pakët për t’u ngushëlluar.

Pyetjes se në mos Kino Kalaja e Kino n’Lum, si dy kinematë më të veçanta të cilat ndërthurin më së miri peizazhin natyror me magjinë e filmit që flet pa dorëza, përbëjnë thelbin kuptimor të festivalit, i përgjigjet më së miri identiteti vizual i këtij edicioni: Transmetimi si një formë transformimi. Pavarësisht se transmetimi mund të kuptohet drejtpërdrejt lidhur me kushtet aktuale, nuk mund të lihet mënjanë mënyra në të cilën valët transmetuese (qofshin këto të një radioje, kënge ose ndjesie) i kanë dhënë një formë të re, ndër të tjera, dhe ndërlidhjeve njerëzore. Nga njëra anë, transmetimi shndërrohet në një dëshmi të fortë të mekanizmave funksionuese të kohës në të cilën po jetojmë. Nga ana tjetër, transmetimi është tanimë një sfidë ndaj individit dhe sferës shoqëror në të cilën ai ekziston.

Pra, dhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar, DokuFest vazhdon të jetë për të ardhmen e për kulturën, e sidomos për njerëzit. Përpos të gjithave, festivali kryen misionin e tij duke u mundësuar artistëve të rinj dhe të pavarur prezantimin me mjedisin kinematografik ndërkombëtar, duke bërë të prekshme të vërtetën dhe të nevojshmen, duke lidhur fort komunitetet lokale me vlerat e bashkëpunimit, tolerancës e dialogut, e mbi të gjitha duke nxjerrë në pah komunikimin vizual si antidotë për ditë të vështira. Doemos, kjo nuk i bën më pak të veçanta.

Nga Enxhi Noni