08/08/2021

Skena në kinemanë Lumbardhi Bahçe të shtunën mbrëma është mbushur me sportistë të klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, të cilët për disa minuta kanë treguar aftësitë e tyre. Ndërsa rrëfimi vizual për peripecitë e tyre disa vjeçare për të siguruar një vend për të stërvitur në baza ditore është shpalosur në premierën vendore të filmit “Pa vend” të regjisorit Samir Karahoda. Projektimi i këtij filmi ka sjellë momente prekëse te publiku i pranishëm, që ka bashkëndjerë për kushtet e rënda të sportistëve, që megjithatë nuk heqin dorë nga ëndrra e tyre për të garuar dhe për të arritur suksese. Madje janë paraqitur kërkesa që filma të tillë të bëhen edhe për sportet tjera, që kanë fatin e ngjashëm.

Bartja e tavolinës së pingpongut nga protagonistët kryesorë të filmit, Jeton Mazreku e Ermegan Kazazi, si dhe servimet e trajnerit Rifat Rifati për anëtarët e klubit “Lidhja e Prizrenit”, kanë rikrijuar disa prej skenave të filmit “Pa vend”, i cili është regjistruar si filmi i parë nga Kosova që futet në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Kanë, prej ku e ka marrë edhe nominimin që të jetë kandidati i këtij festivali me nam për “European Film Awards”, që njihet edhe si “Oscari Evropian”.

Filmi i Karahodës paraqet tregimin real për vështirësitë e shumta të veprimtarisë së klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, që njëherësh është edhe tregues për sfidat me të cilat ballafaqohen talentët e rinj gjithandej Kosovës, në mungesë të infrastrukturës dhe pa përkrahjes së duhur nga institucionet. Kjo reflektohet edhe në dialogun e personazheve kryesore të filmit, ku njëri prej tyre gjykohet vazhdimisht se është kthyer nga Gjermania për të jetuar, punuar e garuar në Kosovë. Pavarësisht kësaj Jetoni nuk dorëzohet, por me gjithë mund angazhohet për klubin e tij. Madje me synimin që njëri nga bashkëlojtarët e tij të kualifikohet për garat më kulmore. Mirëpo Ermegani ia kujton realitetin me të cilin ballafaqohen. “Çfarë Japonie, kur nuk po mundemi me ushtru qysh duhet e drejtori i shkollës edhe drynin po ta ndërron, e na dojmë me garu me botën. Paramendo, ekipi më i mirë në Kosovë e na endemi si topi i pingpongut, e luajmë në salla dasmash”, thotë Kazazi, në epilogun e filmit, duke marrë simpatinë e publikut prezent.

Regjisori Karahoda në diskutimin e mbajtur pas shfaqjes së filmit ka pohuar se si është familjarizuar me këtë tregim nga viti 2004. “Besoj se filmi ju ka pëlqyer, por jeni ndjerë edhe keq. Kemi parë se sa talente ka ky vend. Këtë film ua dedikon të gjithë talenteve në Kosovë. Po ashtu, edhe djalit tim i cili është një prej talenteve që luan në Prishtinë, e që dimrit nuk mund të luajë se s’ka vend. Kjo ka qenë një arsye më shumë me prek këtë temë. Si prind nuk mund ta pranoj që fëmijët tanë të rriten kështu, andaj krejt çka kam mundur të bëj ka qenë kjo për ta”, ka thënë ai, duke shtuar se tregimi është 100 për qind i vërtetë dhe se është punuar me kujdes. “Ka gjëra edhe më të rënda që nuk janë në film. Për shkak të imazhit të vendit nuk kam dashur t’i publikoj ato”, ka treguar Karahoda.

Sipas tij, korrupsioni ka frenuar arritjet sportive të talentëve kosovarë. Me këtë rast ka marrë si shembull edhe dy medaljet olimpike të fituara nga xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

“Dua të jem pak i vrazhdë, se përnjëmend shpirti na ka dhimbtë derisa e kemi xhiruar filmin, kur i kemi pa kushtet. Mos të ishin vjedhur aq para, me siguri nja 300 salla do t’i kishim e nja 12 medalje”, ka theksuar Karahoda.

Ndërsa trajneri Rifat Rifati, pohon se pas sukseseve të arritura është pritur shpërblimi, që ka ardhur në formën e largimit nga vendi ku kanë ushtruar pingpongistët prizrenas. “Për mua ka qenë një vuajtje, një gjendje e rëndë, jam prekur me zemër e me shpirt, por s’jam dorëzuar… Këta fëmijë më kanë dhënë fuqi e vullnet ta bëjmë si duhet këtë sport”, thotë ai. Ermegan Kazazi ka pranuar se nuk e ka menduar kurrë se do të luaj në film, por ka shprehur mirënjohje për punën e regjisorit, që ka sjellë krenari për të gjithë.

Producenti i filmit, Eroll Bilibani ka treguar se realizimi i këtij projekti nuk ka qenë i lehtë, edhe për faktin se vonesat në pagesa kanë ardhur si rezultat i burokracisë brenda institucioneve kulturore, me ç’rast obligimet janë kryer pas konfirmimit se premiera botërore e filmit do të jetë në Kanë.

Fare në fund të kësaj premiere, nga autoritetet lokale është paraqitur zotimi se pingpongistët nga “Pa vend” do të bëhen “Me vend”.

 

Filmi “Pa vend” është filmi i dytë i realizuar nga Karahoda. Ai me dokumentarin “Në mes”, vjet, për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”.