09/08/2022

Filmat e parë të Garës Kombëtare të shfaqur në edicionin e 21-të të DokuFestit kanë shpalosur historitë personale të regjisorëve. Përderisa regjisori Noar Sahiti me filmin “Koagulim” ka sjellë një autobiografi të shkurtër, filmbërësi Eneos Çarka me filmin “Kënga e Pëllumbit” ka prezantuar kërkimin e tij për historinë e dashurisë ndërmjet stërgjyshit dhe stërgjyshes së tij. 
Filmi “Koagulim”, i vendosur në fillim të shekullit, tregon se si një çun 9-vjeçar dhe nëna e tij udhëtojnë drejt kryeqytetit për t’ju nënshtruar një ndërhyrjeje mjekësore. Ky test i ADN-së realizohet për ta përcaktuar atësinë e kontestuar të djaloshit.
"Është film autobiografik. 95 % është rikrijim i skenave ose momenteve që kanë ndodh në vitin 2000. Normal është bërë me u përshtat me formatin e filmit të shkurtër. Përndryshe kur shfaqet në Kosovë normal është një ndjenjë pak më ndryshe, sesa kur shfaqet në ambientet tjera, meqenëse edhe konteksti dhe definicioni i familjes tradicionale te na kuptohet më ndryshe, dhe si rrjedhojë edhe pasojat apo çfarëdo strukture familjare që devijon prej asaj tradicionale prej kosovarëve po besoj se mundet me qenë temë më e kapshme", ka thënë Sahiti, pas projeksionit të filmit. 
Ai ka shprehur bindjen se shoqëria në Kosovë duhet me qenë më liberale sa i përket definicionit të familjes së shëndoshë. 
“Unë jam rritë prej dy grave, prej nënës dhe gjyshes edhe krejt memoriet prej fëmijërisë i kam magjike, d.m.th mungesa e asaj që konsiderohet si shtylla e familjes në Kosovë ose mungesa e prindit mashkull ka qenë përfituese për mua. Definitivisht duhet me u fol, me u normalizua cilido lloj i familjes”, është shprehur regjisori kosovar.  
Ndërsa filmbërësi Eneos Çarka i zgjuar çdo mëngjes nga zëri i pëllumbit, lexon ditarin e burgut të stërgjyshit të tij. Ai mëson se një pëllumb e shoqëronte edhe atë derisa shkruante. Ky pëllumb i vetmuar, i përjetshëm mbush zbrazëtirat e asaj që është harruar, duke ringjallur plagë të pashprehura familjare. Prandaj me fuqinë metafizike të pëllumbit vihet në kërkim të zbulimit të historisë së stërgjyshit e stërgjyshes së tij. “Pëllumbi ekziston në fotografinë e stërgjyshes time. Nga ai mora një fuqi metafizike”. 
Ai pohon se ky kërkim ka qenë i rëndësishëm për të, në mungesë të informacioneve bazike. 
“E gjitha është e bazuar në histori të trashëguara gojarisht, çka më ka treguar gjyshja, çka më kanë treguar prindërit, dhe ishin histori që nuk përputheshin. Dhe nuk e dija kujt ti besoja më tepër. Kështu që në fund fare vendosa ti besoja mënyrës sime se si unë e shoh këtë marrëdhënies, se si unë e shoh historinë, kujtesën e harresën”. 
Nxitja për kërkim ka lindur nga mungesa e Luizës, stërgjyshes së tij, në shkrimet e stërgjyshit, që ishte shkrimtar.  “Kur shoh që shkrimtari shkruan për shumë gjëra por nuk e përmend dashurinë e tij të vetme, që e donte aq shumë, d.m.th. ishte një dhimbje kaq e madhe për të. Ndoshta kjo ishte mënyra e tij për tu përballur me këtë dhimbje. Për mua ishte e çuditshme se si mund të mos shkruash as edhe një fjalë për të, dhe unë doja të zbuloja akoma më tepër, të hyja në mendjen e tij”. 
Programi i filmave të Garës Kombëtare vijon me disa projeksione në ditët e mbetura të festivalit.      

Fotografia: Kushtrim Haxha