11/08/2020

Që nga zgjedhja e presidentit filipinas Rodrigo Duterte, një koleksion i shpirtrave të këqij janë shfaqur në rrugët e Manilas.

Regjia: Alyx Ayn Arumpac

Producentët: Armi Rae S. Cacanindin, Alyx Ayn Arumpac

Shteti: Filipine, Francë, Norvegji, Katar, Gjermani

Aswang, një krijesë e folklorit filipin, thuhet se i ndjek njerëzit pasi të bie nata. Askush nuk është i sigurt si duket, sepse ndryshon formë. Disa shohin njeri-ujk, disa vampir. Në një mënyrë, forma e saj nuk ka rëndësi, sepse kur jepet alarmi nga një fqinj te tjetri se një aswang është duke ardhur, të gjithë e dinë se çka do të thotë: “Kini frikë”. Regjisorja filipinase Alyx Ayn Arumpac i referohet bishës si efekt atmosferik në sekuencat hapëse të Aswang, filmi saj i parë i metrazhit të gjatë. Bisedat për figura të frikshme janë ngritur vitet e fundit në Manila, ku lagjet e varfra të kryeqytetit janë kthyer në fusha vrasjeje pas shpalljes së luftës ndaj drogës nga ana e popullistit të ashpër presidentit Rodrigo Duterte.

Mistike

Kufomat e të dashurve dhe gjaku që në kuptimin e plotë të fjalës rrjedh nëpër rrugë pas edhe një vrasje të jashtëligjshme nën mbulesën e errësirës nuk mund të ishte më reale për banorët e lagjeve të varfra, por qasja e të varfërve në informatën e duhur të medias dhe ndikimi në punën e komandantëve kryesor të qeverisë nuk ekziston. Shumë familje i fajësojnë policët mashtrues dhe vigjilantët derisa ende i ofrojnë mbështetjen e tyre Dutertes, edhe kur të afërmit e tyre janë vrarë. Për këdo që dyshon në dorën e tij, është me rrezik të flasë në publik. E besuan apo jo qytetarët, është më e sigurt që të krijosh ndjenjën e botës përmes tregimeve folklorike abstrakte, se sa të pranosh mundësinë që shteti është i korruptuar dhe nuk mund t’i zihet besë. Duke asocuar në Duterten përmes aswangut, filmi mund të ketë rrezik të ushqejë edhe më shumë egon mistike, por pika e mprehtë është se miklimi i tij në mesin e njerëzve që i vret mund ta bëjnë atë po aq të paprekshëm.

Kur Duterte erdhi në pushtet më 2016, ai ndoqi një fushatë të stampimit të përdoruesve të drogës (se sa të fokusohej në personat me rëndësi në krye të zinxhirit.) Derisa vrasjet e jashtëligjshme të skuadrave të vdekjes së vigjilantëve janë theksuar të jenë sistematike nga Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Filipine, Duterte ka mohuar përfshirjen e tij direkte, derisa ka refuzuar ti bëjë përgjegjës ata. Komunitetet po terrorizohen në këtë mënyrë në masën e rreth 1,000 vdekje në muaj.

Vrasjet vazhdojnë

Derisa zhdukjet janë bërë të zakonshme, ata që kthehen përgjohen me kujdes nëse po japin detajet e keqtrajtimit, me që njerëzit janë kushtëzuar të shikojnë në anën tjetër, për t’iu shmangur të qenit në radhë. Një paradë burrash rrahin me kamxhik shpinat e tyre në një spektakël të përgjakshëm në rrugë, një ritual për të kërkuar falje nga aswang. Sigurisht që vrasjet vazhdojnë. Disa qytetarë janë të indinjuar dhe të inatosur mjaftueshëm për të protestuar kundër atyre që janë në pushtet, pavarësisht rrezikut. Pamje të presidentit aktual mungojnë nga një dokumentar që është më së shumti i brengosur që tu jap zë e pamje atyre që janë të përndjekur nga kërcënimi në përhapje i luftës kundër drogës dhe i dhunës së tij. Ne shohim shumë shëmbëlltyra të tij, si djall, duke u djegur në rrugë në një protestë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, një shenjë ndriçuese e Mc Donald në prapavijë teksa demonstruesit thërrasin, në mesin e sloganeve tjera: “Poshtë imperializmi.” Duterte i ka rritur edhe më shumë sulmet e tij ndaj të varfërve dhe të varurve nga droga që kur presidenti amerikan Donald Trump e lavdëroi atë gjatë vizitës në Manila më 2017, kanë thënë kritikuesit e liderit filipinas.

Disa shohin njeri-ujk, disa vampir.

Një pjesë të madhe të filmit, Arumpac na dërgon në korridoret e errëta e mbytëse të Manilas, të mbushura me mbeturina e të theksuara me neon, për të takuar njerëz që bartin peshën kryesore të politikave të Dutertes. Varfëria është e ashpër, improvizimet e ngjeshura që banorët i quajnë shtëpi mezi qëndrojnë në këmbë. Në një sistem drejtësie që i përcakton të ardhurat nga pasuria, me të pasurit që janë të dënuar të qëndrojnë në qeli me ajër të kondicionuar derisa të varfrit kanë më shumë gjasë që thjeshtë të përfundojnë të vrarë, fati është i vështirë për banorët e lagjeve të varfra. Një operacion i fshehtë e shfaq policinë shumë aktive në vendosmërinë e tyre dhe skemat për të rrethuar përdoruesit. E thonë adhuruesit e substancës, derisa frika është e pashmangshme, “ky është vesi ynë” – duke pasur jetën shumë të vështirë, ata nuk duan të heqin dorë prej njërit nga aktivitetet që u jep atyre kënaqësi të përkohshme. Nëpër morg lëvizin trupa vazhdimisht, dhe kërkesat për varrime me shpenzime financiare që vështirë se mund të paguhen. Kufoma e një burri ka një prerje që të jep të mendosh se paraprakisht mund ta ketë shitur ndonjë organ; një jetë e shkurtër tashmë e jetuar në ekstreme të dëshpërimit. Jomari, një fëmijë nëna e të cilit është e varur nga droga dhe është në burg, zhduket gjatë periudhës së xhirimit të filmit, dhe teksa Arumpac përpiqet ta gjejë atë neve na mbajnë pezull nëse fati i tij do jetë më i lumtur apo jo.

Tronditës është zbulimi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut për standardet e normalizuara të forcës së abuzimit të policisë dhe rutinës së falsifikimit të raporteve pas informatës për një qeli të fshehtë prapa një kabineti në pjesën e prapme të një hapësire, në të cilën njerëzit e kidnapuar për haraç po mbahen në errësirë totale dhe duke i kërcënuar me akuza të rreme për drogë nëse nuk paguajnë. “Ndjeja se më kishin varrosur nën dhe”, thotë një nga të kidnapuarit. Për banorët më të varfër të Manilës, më të çnjerëzuar dhe më të zhveshur nga dinjiteti, jeta mund t’i përngjajë një dënimi me vdekje që ec.

(Recension nga Carmen Gray, publikuar në MODERN TIMES REVIEW.